Vendosni fjalën kyçe....

Maroku ankohet në FIFA për ndeshjen me Francën: Arbitri s’na dha 2 penallti


Federata e Futbollit të Marokut ka bërë një ankesë zyrtare në FIFA pasi u mund nga Franca në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2-0.

Maroku ka pakënaqësitë e saj rreth mënyrës sesi arbitroi meksikani Cesar Arturo Ramos.

Në një deklaratë në faqen e tyre të internetit, Federata e Marokut tha gjithashtu: “Federata Mbretërore e Futbollit Maroken protestoi ashpër kundër arbitrimit të ndeshjes së kombëtares marokene kundër kombëtares franceze, të udhëhequr nga Cesar Ramos.”

Federata marokene ankohet se Ramos u kishte mohuar “dy penallti të dukshme” gjatë pjesës së parë të ndeshjes.

Rasti i parë i takon minutës së 27-të, kur Theo ndërhyri në zonën e rrezikshme por nuk u akordua 11-metërsh. Rasti tjetër i përket fundit të pjesës së parë, ku Aurelien Tchouameni rrëzon në tokë Selim Amallah.

Maroku tani do të përballet me Kroacinë në play-offin e vendit të tretë të shtunën pasdite për të mbyllur një muaj historik dhe të paharrueshëm në Katar.