Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata vendos në sekuestro pasuritë me vlerë rreth 2 mln euro të bashkëshortes së Admir Muratajt


Gjykata e Shkallës ka vendosur sekuestro preventive mbi disa pasuri në emër të bashkëshortes së Admir Muratajt.

Dyshimet janë të forta që kjo pasuri që përfshin 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën ‘Mihal Grameno’, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathor (pranë TEG-ut), e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të Admir Muratajt, i vrarë në 9 prill 2019 gjatë grabitjes së Rinasit.

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale.  Finalizohet operacioni policor i koduar “Relative”.  Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Relative”.

Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë. Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht:

-1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore.  Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i shtetases A. A.(M.), shtetasi A. M., i cili ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.   Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë”-njofton prokuroria.

Kush ishte Admir Murataj

Admir Murataj ka qenë një prej drejtuesve kryesorë të nje grupi grabitesisht ne shtetin grek. Ai u arrestua në janar të 2013 në Greqi, i akuzuar për disa grabitje në banesa, banka dhe automjete por qëndroi në burg vetëm për 2 muaj. Emri i Admir Murataj u dëgjua për herë të parë në Shqipëri në vitin 2013 kur  së bashku me 11 shqiptarë të tjerë kryen arratisjen e bujshme nga burgu i Trikallës. Me 23 mars një grup i armatosur nga jashtë burgut, sulmuan me armë zjarri rojet duke lënë të plagosur edhe dy prej tyre dhe bënë të mundur arratisjen.

Pas arratisjes nga burgu ky grup i mirëorganizuar pjesë e të cilit  ishin Admir Murataj, Ilir Kupa Marian Kola etj, vijuan aktivitetin kriminal. Si fillim ata grabitën një tavernë dhe në largim e sipër iu kundërpërgjigjën me zjarr policisë, por të shtënat rezultuan fatale për një vajzë 25 vjecare e cila ishte kalimtare.

Më 17 qershor të 2013 do vinte një tjetër përplasje mes policisë greke dhe bandës, ku nga shkëmbimi i zjarrit humbi jetën një oficer policie, baba i dy fëmijëve, 37 vjec.

Pas ngjarjes forcat speciale janë vënë pas tyre, ku nga shkëmbimi i zjarrit  mbetën të vrarë dy prej anëtarëve të bandës. Pavarësisht se Murataj dhe grupi i tij ishin në ndjekje në 16 qershor 2013 ata guxuan  të grabisnin 1 milion euro në një bankë në Larisa, grabitje kjo që u faktua nga shenjat e gishtave të autorëve. Prej 2013, disa prej anëtarëve të këtij grupi u arrestuan, disa u vranë në përplasje me policinë ndërsa për Admir Murataj dyshohej se kishte hyrë në territorin shqiptar.

2 vjet më pas Murataj u shfaq në një ngjarje të bujshme. Më 13 shkurt 2015 rreth orës 12.30 pranë bulevardit “Zogu i Parë” nën kërcënimin e armëve bashkë me 2 të tjerë grabiti një bankë te nivelit të dytë.

Më 3 dhjetor 2015, në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, grabiti me armë një furgon të blinduar, që transportonte një vlerë të konsiderueshme valute.

Më 9 shkurt 2017, rreth orës 12:00 dy automjete të blinduara u përballën me grabitësit në rrugën e Rinasit, që me dhunë e nën kërcënimin e armëve grabitën rreth 3.2 mln euro.

Admir Murataj ka pasur mbi 10 identitete por identiteti i tij i vërtetë është Admir Nikaj. Ishte nga Tropoja, por familja e tij jeton në Fushë-Prezë të Tiranës në një shtëpi luksoze dhe të pajisur me kamera sigurie. Admir Murataj njihej më herët nga policia, pavarësisht se aktiviteti i tij nuk ka qenë në Shqipëri.