Vendosni fjalën kyçe....

Luçiano Boçi kërkon dënimin e sulmit ndaj Berishës: Ky parlament duhet të jetë në këmbë


Gjatë fjalës së tij në Parlament, deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka kërkuar reagim nga Kuvendi në lidhje me sulmin ndaj ish- kryeministrit Sali Berisha në protestën e 6 Dhjetorit.

Boçi kërkoi një qëndrim unanim dhe votimin më pas në Parlament.

 “Është goditur kryetari i opozitës. Ky parlament sot bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhuna është instaluar në këtë parlament që në vitin 2013 kur është goditur Strazimiri dhe pastaj është mbushur ky parlament me kriminelë. Në këtë parlament nuk mund të vijohet me fjalë të bukura. Ky parlament duhet të jetë në këmbë për të mbrojtur dinjitetin e opozitës.

Atë ditë nuk u godit Sali Berisha por opozita dhe qytetarët. Organizuesi i këtij skenari është ai që mungon vazhdimisht në këtë sallë, kryeministri Edi Rama. Ai duhet të vijë këtu dhe të deklarojë dorëheqjen e tij. Shqiptarëve u ka ardhur aty ku nuk mban më. Ka realizuar atë skenar që e ka mirë menduar dhe e ka artikuluar në këtë sallë duke kërcënuar Sali Berishën, Edi Palokën, Gazment Bardhin dhe anëtarë të tjerë të opozitës për t’i mbyllur gojën. Përgatisni qëndrimin dhe ne ta votojmë këtu. Përndryshe nuk ka normalitet.”– deklaroi deputeti demokrat.

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla e konsideroi të panevojshme kërkesën e Boçit, duke theksuar se qeveria dhe Kuvendi e ka dënuar dhunën dhe i ka bërë gjithashtu thirrje drejtësisë për të ndëshkuar personin që shkaktoi dhunën.