Vendosni fjalën kyçe....

Hollësi të reja në komplotin e pretenduar të grushtit të shtetit në Gjermani


Policia në Gjermani po planifikon arrestime të reja ndërsa vijon hetimin e një komploti të dyshuar për grusht shteti nga një grup që dyshohet se planifikon të përmbysë me forcë qeverinë në Berlin.

Pasi më shumë se 130 kontrolle dhe 25 arrestime u kryen të mërkurën, numri i të dyshuarve për rastin është rritur në 54, tha Holger Munch, kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, për ARD të enjten. Muench tha se shifra mund të rritet më tej teksa hetimi vijon.

Të dyshuarit, shumë prej të cilëve janë anëtarë të lëvizjes Reichsburger ‘Qytetarët e Rajhut’, akuzohen se kishin planifikuar të instalonin një regjim të ngjashëm me Rajhun gjerman të vitit 1871. Grupi dyshohet se donte të instalonte në pushtet aristokratin Heinrich XIII Prinz Reuss, pasardhësin e një familjeje fisnike nga Frankfurti i Mainit.

“Ne kemi një përzierje të rrezikshme njerëzish që ndjekin bindje irracionale, disa me shumë para, të tjerë me armë dhe një plan për të nisur sulmet dhe për të zgjeruar strukturat e tyre.” – tha Munch për ARD.

Policia bastisi gjithashtu shtëpizën e gjuetisë Waidmannsheil në shtetin Thuringen të enjten, që është në pronësi të Reuss. Autoritetet dyshojnë se shtëpiza neo-gotike e shekullit të 19-të, mund të ketë shërbyer si një depo armësh dhe pikë takimi për puçistët.

Një oficer që foli për Reuters në kushte anonimiteti tha se policia kishte punuar gjatë natës, duke kërkuar prova të armëve dhe eksplozivëve.

Nënkryetari i bashkisë së qytetit, Andree Burkhardt, i tha gjithashtu Reuters se vendasve u ishin dërguar letra duke i informuar ata se pasaportat e tyre të lëshuara nga autoritetet legjitime gjermane nuk ishin më të vlefshme.

“Të gjithë qytetarët e Bad Lobenstein morën një letër verën e kaluar në të cilën na thanë se nuk ishim gjermanë sepse pasaportat tona nuk ishin gjermane.” – shpjegoi Burkhardt.

“Më pas na u dha mundësia të aplikonim për dokumentet tona të origjinës gjermane me administratën Reuss. Kjo sigurisht që provokoi një protestë të madhe në mesin e populates.” – shtoi ai.

Komplotuesit e supozuar të grushtit të shtetit me sa duket planifikuan të sulmonin parlamentin gjerman, të merrnin ligjvënësit peng dhe të godisnin infrastrukturën energjetike me shpresën për të shkaktuar përleshje të ngjashme me luftën civile.

Mes të arrestuarve të mërkurën përfshinin ish-anëtarë të forcave ushtarake dhe policore, si dhe një ish-përfaqësues i partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Bundestag dhe një shtetas rus.