Vendosni fjalën kyçe....

A do dëshmojë Berisha për sulmin në Polici? Drejtori i Komunikimit në PD: Sikur nuk mjafton dhuna në fytyrën e tij


Drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela i përgjigjet pyetjes nëse Sali Berisha do të japë dëshminë e tij në Polici lidhur me incidentin e ndodhur dje në protestë.

Lela thotë se Berisha e ka dhënë dëshminë e tij publikisht në lidhje me sulmin gjatë konferencës për mediet. E sipas tij, Berisha nuk ka arsye të shpenzojë as edhe një minutë me Policinë që e konsideron të korruptuar.

“Më marrin gazetarët për të më pyetur: a ka marrë Berisha thirrje për të dëshmuar në Polici dhe kur do shkojë? Pra, Berisha duhet ta denjoka këtë Polici kulimo-politike dhe të shpenzojë, qoftë edhe një minutë me të, sikur dëshmia e tij nuk u dha e plotë publikisht, dhe sikur nuk u pa gjithçka publikisht. Sikur dhuna në fytyrën e tij dhe të opozitës nuk mjafton!!!
Policia duhet të bëjë mbrapsht nga seria e provokimeve dhe të rrijë në vrimën e saj që qelbet era këmbë korrupsioni!
Ja edhe dëshmia më poshtë!”– shkruan Lela duke publikuar një foto të Berishës nga komunikimi i tij me gazetarët, ku shihen qartë shenjat e dhunës në fytyrën e tij.

Episodi i rëndë ndodhi teksa kreu i PD-së Berisha po marshonte me kreun e PL-së Ilir Meta e qytetarë të shumtë në bulevardin para ish-Hotel Dajtit.

Lidhur me sulmin ndaj tij, kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm Çuçi e shefin e Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore Ardi Veliu se janë ideatorët, orkestruesit dhe organizatorët e sulmit ndaj tij në protestë.

Ai tha se sulmuesi 31-vjeçar Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale ndërsa tregoi një dokument mjekësor të shpërndarë në media, sipas të cili agresori vuante nga çregullime psikike.