Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku shkarkon udhëheqësit e Caritas-it


Papa Françesku ka shkarkuar nga detyra udhëheqësit e organizatës botërore bamirëse të Kishës Katolike Romake Caritas Internationalis (CI).

Shkarkimi i udhëheqësve ekzekutiv të CI-së, që ka mbi një milion njerëz si pjesë të stafit dhe vullnetarë në mbarë botën, u bë i ditur në një dekret papnor të publikuar nga zyra për media e Vatikanit.

Papa Françesku emëroi një komisionar për udhëheqjen e saj derisa të zgjidhen ekzekutivët e rinj.

Vatikan News shkruan se në dekretin e tij, Papa Françesku ka emëruar Dr Pier Francesco Pinelli si Administrator të Përkohshëm të Caritas Internationalis.

Dekreti gjithashtu emëron Dr Maria Amparo Alonso Escobar dhe Rev. P. Manuel Morujão, S.J., si mbështetje për Dr Pinelli “për shoqërimin personal dhe shpirtëror të punonjësve”.

Në një deklaratë tjetër nga departamenti për zhvillimin i Vatikanit, që mbikëqyr punën e CI-së, tha se një inspektim i këtij viti i vendit të punës, nga ekspertë të jashtëm të menaxhimit dhe psikologjisë, gjeti pakënaqësi dhe praktika të këqija menaxhimi në selitë e organizatës.

Caritas Internationalis është një konfederatë e 162 organizatave katolike të ndihmës, zhvillimit dhe shërbimeve sociale, që operojnë në më shumë se 200 vende dhe territore në mbarë botën. Selia e saj është e inkorporuar në Selinë e Shenjtë dhe mbikëqyret nga DPIHD.