Vendosni fjalën kyçe....

I vunë tritol për herë të tretë në dyqan, pronari: S’kam konflikt me askënd


Një shpërthim me tritol ka ndodhur orët e para të mëngjesit në një mobileri në Kodër Rrashbull, Durrës.

Një sasi lënde plasëse është hedhur ndaj fasadës së dyqanit “Luart Mobileri”. Nga shpërthimi nuk ka të  lënduar po vetëm dëme materiale.

Autorët e ngjarjes nuk janë identifikuar ende. Tre persona janë shoqëruar në polici për t’u pyetur për ngjarjen.

Kjo është hera e tretë që ndaj biznesit të Artan Allës vihet tritol. Në një deklaratë për Report Tv, ai ka thënë se nuk ka probleme me askënd. Ai tha se kamerat kanë kapur një person të maskuar që ka hedhur lëndën plasëse e më pas është larguar.

“Unë kam dyqanin këtu. Skam konflikt me asnjë njeri në botë. As për prona s’kam konflikt, as borxh s’i kam kujt, e kam me leje ndërtimi, me licencë. Policia ia ka fut kot. Mbase ka dyshimet e veta. Kamerat kanë kapur një person duke kaluar këtu, duke e hedh lëndën dhe duke ikur. Ka qenë me kapuç, me maskë. Kjo është hera e tretë që ma hedhin, e kanë hedhur njëherë në nëntor, njëherë para 3-4 javësh dhe sot prapë.” – tha Alla.

Njotimi i policisë

“Në orët e para të mëngjesit, në Rrashbull, Durrës, në ambientet e jashtme të mobilierisë në pronësi të shtetasit L. A., 36 vjeç, është hedhur një sasi lënde e dyshuar plasëse.  Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie. Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës janë shoqëruar 3 shtetas që dyshohet se kanë dijeni për rastin. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve.”