Vendosni fjalën kyçe....

Bob Iger rikthehet si CEO i “Disney”-t


Robert Iger

Kompania Walt Disney ka njoftuar të dielën vonë se ish-CEO i saj Bob Iger do të rikthehet në krye të kompanisë për dy vjet. Një lëvizje kjo e papritur në industrinë e argëtimit.

Disney tha në një deklaratë se Bob Chapek, i cili pasoi Iger në 2020, ishte larguar nga pozicioni. Kryetarja e bordit të Disney, Susan Arnold falënderoi Chapek për udhëheqjen e tij gjatë “sfidave të pashembullta të pandemisë”.

Ajo tha se drejtorët besonin se Iger ishte “i vendosur në mënyrë unike” për t’i udhëhequr gjatë “një periudhe gjithnjë e më komplekse të transformimit të industrisë”.

Iger, 71 vjeç, udhëhoqi Disney-n për 15 vjet kohë gjatë së cilës thithi bizneset argëtuese të Pixar, Lucasfilm, Marvel dhe Fox, më pas nisi shërbimin e tij të transmetimit Disney+. Ai dha dorëheqjen në vitin 2020.

Iger tha në një deklaratë se ishte “i emocionuar” për t’u kthyer dhe “jashtëzakonisht optimist” për të ardhmen e Disney.

“Jam thellësisht i nderuar që më kërkohet të drejtoj përsëri këtë ekip të jashtëzakonshëm, me një mision të qartë të përqendruar në përsosmërinë krijuese për të frymëzuar brezat përmes tregimeve të pakrahasueshme dhe të guximshme.”– tha Iger sipas CBS News.

Komuniteti krijues i Hollivudit ishte ankuar për masat e shkurtimit të kostos të marra nga Chapek dhe nganjëherë qasje të topitur ndaj talenteve, ndërsa vizitorët e rregullt të parkut tematik ishin të pakënaqur me rritjen e çmimeve. Në fillim të këtij muaji, Disney publikoi rezultate më të ulëta se sa pritej për tremujorin e katërt fiskal.