Vendosni fjalën kyçe....

Ish-miliarderja amerikane dënohet me 11 vjet burg e 400 milionë dollarë gjobë


Elizabeth Holmes, themeluesja e startup-it amerikan ‘Theranos’, që ofronte teste të shpejta dhe me kosto të ulët të gjakut, u shpall fajtore për mashtrim dhe u dënua me 11 vjet burg të premten.

Sipas raporteve të mediave që citojnë dokumentet e gjykatës, një gjykatë në San Jose, Kaliforni e shpalli Holmes fajtore për tre akuza mashtrimi dhe një akuzë për komplot, pasi dyshohet se ajo mashtroi investitorët në lidhje me efikasitetin e supozuar të teknologjisë së testimit të gjakut të kompanisë së saj. Holmes u urdhërua gjithashtu të paguante një gjobë prej 400 milionë dollarësh.

Holmes themeloi ‘Theranos’, që prodhoi pajisje për testimin e shpejtë të gjakut në vitin 2003. Teknologjia u bë e njohur dhe deri në vitin 2015, kapitalizimi i tregut të Theranos u rrit në rreth 9 miliardë dollarë. Holmes u bë miliarderja femër më e re në botë, me Forbes që vlerësoi pasurinë e saj në 4.5 miliardë dollarë.

Megjithatë, menjëherë pas nisjes së startup-it, pacientët filluan të ankohen për gabime në pajisjet ‘Theranos’ dhe në vitin 2015, raportet për veprimtarinë mashtruese në kompani filluan të shfaqen në media, me sinjalizuesit që e akuzonin atë për mashtrimin e investitorëve dhe klientëve në lidhje me aftësitë e teknologjisë. Pas skandalit, ‘Theranos’ u detyrua të mbyllej në vitin 2018.

Prokurorët fillimisht kërkuan që Holmes të dënohej me 15 vjet burg dhe gjobë prej 800 milionë dollarësh, tregojnë raportet. Avokatët e saj kërkuan uljen e dënimit në 18 muaj.

Ajo me gjasë do e nisë vuajtjen e dënimit në prill të vitit të ardhshëm, pasi tani është në pritje të një fëmije. Avokatët e Holmes tani pritet ta apelojnë vendimin dhe t’i kërkojnë gjyqtarit që ta lejojë atë të mbetet e lirë me kusht gjatë kohës së apelit.

Forbes tani vlerëson vlerën e aseteve të Holmes në 0 dollarë.

Ish-shefi operativ i Theranos, Ramesh ‘Sunny’ Balwani, u shpall gjithashtu fajtor për akuzat e mashtrimit kriminal në fillim të këtij viti. Dënimi i tij thuhet se është caktuar për muajin e ardhshëm.