Vendosni fjalën kyçe....

U arrestuan për inceneratorët, GJKKO lë në burg zv.presidentin e FSHF-së dhe 4 të tjerët


GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 të dyshuarit për çështjen e inceneratorëve. Kështu raporton sot “Balkanëeb”.

Bëhet fjalë për zëvendëspresidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Arben Dervishajn dhe katër të tjerët: Regan Merdani, Robert Shabani, Enver Sheshi dhe Gentian Zifla.

Këta persona akuzohen nga SPAK se janë përfshirë në skemën e mashtrimit me inceneratorin e Fierit.

Sipas hetimeve, biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto, ka bashkëpunuar me këta persona të cilët kanë organizuar dhe vënë në funksionim skemën mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Avokati i Dervishajt, Sokol Hazizaj ka dhënë një deklaratë për mediat pasi GJKKO la në burg pesë të prangosurit.

Ai u shpreh: “Ne të gjithë të marrim një nismë ligjore për ndryshimin e kodit të procedurës penale që masë shtrënguese të jetë vetëm burgu burgu, që të hiqen masat e tjera shtrënguese. E vërteta është se të gjitha situacionet janë në përputhje me kontratën që ai ka ngritur. Inceneratori i Fierit është atje. Mund të bëni një metodë krahasuese. Ai ka qenë këtu. Nuk i është larguar asnjë lloj hetimi. Nuk është thirrur asnjëherë. Këto janë fjalë, unë nuk merrem me fjalë”.