Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Më 6 dhjetor protesta e radhës e opozitës, të mirëpresim liderët e BE-së


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar datën kur do të mbahet protesta e radhës e opozitës.

Ai tha që në nisje të mbledhjes së Kryesisë se protesta do të jetë në 6 dhjetor, e njëjta ditë kur në Tiranë do të mbahet samiti Ballkani Perëndimor-BE.

“Protesta e 12 nëntorit duhet të vazhdojë me protesta të tjera dhe data 6 dhjetor mendoj unë është një datë, rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin e tij përpara përfaqësuesve më të lartë të demokracive evropiane, para të gjithë botës. Pikërisht me këtë agjendë, betejë kundër monizmit dhe ekzistencën e pluralizmit.

Mbrojtjen e pasurisë më të madhe publike që kanë shqiptarët sot, portin e Durrësit. Po plaçkitet në mënyrën më të paimagjinueshme, po përvetësohet nga klani Rama. Agjenda do të ketë edhe tema të tjera, por mendon se një popull i shndërruar, në një popull gomonesh, si asnjë komb tjetër në Europë.

Ne mirëpresim dhe u urojmë mirëseardhjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Protesta e jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike janë të forta. Ftoj që ta marrim këtë protestë tonën si një akt mirëpritje ndaj tyre dhe padyshim një akt armiqësor, flagrant, të hapur ndaj Edi Ramës i cili me aferat e tij turpëron çdo komb, qytetar, njeri, lirinë, pluralizmin, të drejtat, transparencën dhe çdo gjë tjetër. Unë këtë propozim kisha sot.”– tha Berisha.