Vendosni fjalën kyçe....

Felaj i ndërpret fjalën Berishës, deputetët e PD-së bllokojnë foltoren e Kuvendit


Është ndërprerë seanca në Kuvend pasi kreu i PD-së Berisha bllokoi foltoren.

Pas kësaj kryetarja e seancës Felaj i ndërpreu fjalën duke bërë që deputetët e PD-së të ngrihen në këmbë e të rreshtohen krah Berishës.

Ky i fundit vijoi fjalën ‘drejtpërdrejt’ përmes një lidhjeje në Facebook duke theksuar se shumë shpejt vendi do përballet me protesta të fuqishme.

Ai akuzoi ministrin e Drejtësisë Manja se ka punësuar në administratë gjithë farefisin e tij duke ironizuar se vetëm dy mushka nga fshati kanë mbetur ende pa punësuar.

“Ikën nga Parlamenti. Iku zonja Xhaçka. Iku investitorja jonë strategjike. Je bërë famoz Ulsi, vetëm dy mushka kanë ngleur pa u sistemuar në punë nga fshati jot. Prandaj bën badigardin e Edi Ramës. Do e hapim parlamentin apo do flasim nga Facebook.” – tha Berisha.

 

Ndërkohë që foltorja e Kuvendit vijonte e bllokuar nga deputetët e PD-së, socialistët kanë vijuar seancën sipas programit ndërsa demokratët komunikonin me publikun përmes rrjeteve sociale.

Deputeti Belind Këlliçi akuzoi socialistët për mosmiratimin e kërkesës së opozitës për debat me ministren e Jashtme Xhaçka.

“Goditjen më të fortë drejtuesja e seancës ia dha Olta Xhaçkës se nuk i dha mundësinë të mbrohej. nëse ne po i biem në qafë, të vijë këtu të mbrohet. Refuzimi i kërkesës sonë ditën e sotme për të pasur një debat me mocion në rastin e investitores strategjike bëhet vetëm e vetëm për t’i mbyllur gojën opozitës. Sot jemi njohur me procesverbalin e seancës së kaluar ku kemi parë atë debat të një niveli bandidesk, ku Edi Ramën e kanë zili të gjithë të burgosurit. Ne jemi te vendi i krimit, ku Edi Rama fyen opozitën, deputetët. Sot dy deputetë të opozitës janë të përjashtuar për 10 ditë vetëm se i janë përgjigjur akuzave dhe fyerjeve të Edi Ramës. Sot kemi një opozitë të vërtetë në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Drejtuese e seancës mund të vazhdosh seancën normalisht duke i dhënë fjalën të gjithë deputetëve që kanë kërkuar fjalën. Nuk na dhe të drejtën as për procedure.” – tha Këlliçi.