Vendosni fjalën kyçe....

Orgji, pastrim parash, jetë luksoze e lidhjet politike mes ‘luftës’ ndaj drogës – Rrëfimi i jashtëzakonshëm i ish-agjentit të DEA-s


Nga Sol Prendido për Borderland Beat

José Irizarry pranon se ai njihet si agjenti më i korruptuar në historinë e DEA-s (Drug Enforcement Administration), duke pranuar se ai ‘u bë një tjetër njeri’ duke komplotuar me kartelet kolumbiane për të ndërtuar një mënyrë jetese luksoze mes makinave sportive të shtrenjta, bizhuterive të shtrenjta e dashnoreve në mbarë botën.

Po ndërsa ai i përdori orët e fundit të lirisë për të treguar historinë e tij për Associated Press, Irizarry thotë se nuk ka ndërmend të fundoset i vetëm në gjithë këtë, duke akuzuar disa kolegë të besuar prej kohësh të DEA-s, se iu bashkuan atij në grumbullimin e miliona dollarëve nga goditjet e pastrimit të parave të drogës, për të financuar një dekadë udhëtimesh luksoze jashtë shtetit, dreka e darka luksoze, vendet VIP në garat sportive dhe orgjira të pafundme.

Siç rrëfen Irizarry, dhjetëra agjentë të tjerë federalë, prokurorë, informatorë dhe në disa raste vetë kontrabandistët e kartelit, ishin të gjithë në një udhëtim mes tre kontinentesh, të njohur si ‘Team America’ ​​që përzgjodhi qytetet për operacionet e pastrimit të parave, kryesisht për të bërë festa ose që ato të përkonin me ndeshjet e Realit të Madridit apo ndeshjet e tenisit të Rafael Nadal.

Kjo përfshinte ndalesa gjatë rrugës në dhomat VIP të Karaibeve, lagjen me drita të kuqe të Amsterdamit dhe bordin e një jahti kolumbian, ku kishte festa me pije alkoolike e dhjetëra prostituta.

“Ne kishim qasje të lirë për të bërë gjithçka që dëshironim.” – tha 48-vjeçari Irizarry për AP në një seri intervistash përpara se të dënohej me 12 vite burg.

“Ne do të e drejtonim  operacionin për marrjen e parave në vendet ku donim të shkonim. Dhe sapo arrinim atje, gjithçka pasonte ishin ishin pije e femra.”

 

José Irizarry pranon se ai është agjenti më i korruptuar në historinë e DEA-s në SHBA. Por ai thotë se nuk ishte i vetmi në komplotin me anëtarët e kartelit kolumbian, që përdorën luftën kundër drogës për të financuar një mënyrë jetese luksoze dhe dekadente.

Irizarry pohon se e gjithë kjo bindje u rrënjos në një kuptim gati dërrmues mes agjentëve të DEA-s në mbarë botën, se nuk mund të bëhej asgjë për të pasur sukses në luftën kundër trafikut të drogës gjithsesi. Sipas tij, kishte vetëm shqetësim nominal për ngritjen e dosjeve ose ndalimin e një fluksi rekord të kokainës dhe opioideve të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, që ka shkaktuar më shumë se 100,000 vdekje nga mbidoza e drogës në vit.

“Nuk mund të fitosh një luftë të pafitueshme. DEA e di këtë dhe agjentët e dinë këtë.” – tha Irizarry. “Ka kaq shumë drogë që del nga Kolumbia. Dhe ka kaq shumë para. Ne e dimë se nuk po bëjmë asnjë ndryshim.”

“Lufta e drogës është një lojë…Ishte një lojë shumë argëtuese që po luanim.”

Historia e Irizarry-t, të cilën disa ish-kolegë e kanë sulmuar si një përpjekje të trilluar për të zbutur dënimin e tij, erdhi gjatë kohës kur ai jepte intervista si i penduar, me rrëfime të hidhura, ndonjëherë duke u përlotur me AP në lagjen historike të vendlindjes së tij, San Juan, Porto Riko. Ishte pothuajse e njëjta deklaratë që ai i dha FBI-së në raporte të gjata dhe dokumente gjyqësore të vulosura të marra nga AP, pasi ai u deklarua fajtor në vitin 2020 për 19 akuza për korrupsion, duke përfshirë pastrimin e parave dhe mashtrimin bankar.

Jose Irizarry, një agjent dikur i shquar i DEA-s, i dënuar me më shumë se 12 vjet burg federal për komplot për pastrimin e para me një kartel kolumbian, flet gjatë një interviste në San Juan, Puerto Rico, 5 janar 2022. (AP Photo/Carlos Giusti)

Por pas shumë vitesh të portretizimit të Irizarry-t si një agjent mashtrues që veproi i vetëm, hetuesit e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së në muajt e fundit kanë filluar të ndjekin nga afër rrëfimin e tij, duke marrë në pyetje deri në dy duzina agjentë dhe prokurorë aktualë dhe ish-agjentë të DEA-s, të akuzuar nga Irizarry se kishin bërë një sy qorr ndaj abuzimeve të tij flagrante dhe nganjëherë se i ishin bashkuar atij.

Pa shumë bujë, hetimi është përqendruar te një ish-partner të Irizarry-t dhe disa kolegë të tjerë të besuar të DEA-s, të caktuar për pastrimin e parave në nivel ndërkombëtar. Të paktën tre prokurorë federalë aktualë dhe ish-prokurorë janë përballur me pyetje në lidhje me festat e zhurmshme të Irizarry-t, duke përfshirë një agjent që mban ende një rol të rëndësishëm në Miami, një tjetër që u shfaq në spektaklin ‘The Bachelorette’ dhe një ish-prokuror të Ohios, që u konfirmua se shërbente si prokuror i SHBA-së në Cleveland këtë vit, përpara se të tërhiqej papritur për ‘arsye të paqarta familjare’.

Hetimi në zgjerim vjen pasi agjencia kryesore e zbatimit të ligjit për narkotikët në vend është tronditur nga skandale të përsëritura të sjelljeve të pahijshme në radhët e saj prej 4600 agjentësh, nga njëri që merrte ryshfet nga trafikantët, te një tjetër i akuzuar për rrjedhje informacioni konfidencial tek anëtarët e karteleve. Megjithatë deri tani, shenja më e madhe e turpit për agjencinë është Irizarry, tradhtia e të cilit ndaj ndaj distinktivit, është në qendër të një rishikimi të jashtëm e që vijon, të operacioneve jashtë vendit të DEA-s në 69 vende.

Agjenti dikur i shquar, ka akuzuar disa ish-kolegë në ‘Grupin 4’ me seli në Miami të DEA-s se kanë mbushur xhepat e tyre dhe kanë falsifikuar të dhënat për të rimbushur një fond të përdorur për shëtitje të huaja, gjatë pjesës më të madhe të një dekade, deri në dorëheqjen e tij në 2018.

Ai akuzoi një agjent të Zyrës së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së për pranimin e një ryshfeti prej 20,000 dollarësh. Dhe së fundmi, FBI-ja, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm dhe një prokuror federal intervistuan Irizarry-n në burg për të marrë informacion lidhur me punonjësit e tjerë federalë dhe akuzat që ai ngriti për sjellje të pahijshme gjatë operacioneve në det.

“Ishte shumë e çuditshme që ata të besonin se kjo po ndodh në të vërtetë.” – tha Irizarry për hetuesit. “Aktakuza me përshkruan mua, agjentin e korruptuar që bëri të gjithë këtë skemë. Por nuk flet për pjesën tjetër të DEA-s. Unë nuk kam qenë truri.”

Gjykatësi federal në Tampa, i cili dënoi Irizarry-n vitin e kaluar, dukej se ishte dakord, duke thënë se agjentë të tjerë të korruptuar që kishin rënë pre nga ‘joshja e parave të lehta’ duhet të hetohen. “Kjo duhet të ndalet.” – u tha prokurorëve gjyqtarja Charlene Honeywell, duke shtuar se Irizarry ishte ‘ai që u kap, por është e qartë se ka edhe shumë të tjerë’.

Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë.

Një zëdhënës i DEA-s tha: “José Irizarry është një kriminel që ka shkelur betimin e tij si oficer federal i zbatimit të ligjit dhe ka shkelur besimin e popullit amerikan. Gjatë 16 muajve të fundit, DEA ka punuar fuqishëm për të forcuar më tej politikat tona të disiplinës dhe punësimit për të siguruar integritetin dhe efektivitetin e punës sonë thelbësore.”

AP ishte në gjendje të vërtetonte disa, por jo të gjitha, akuzat e Irizarry-t përmes mijëra të dhënave konfidenciale të organeve të zbatimit të ligjit dhe dhjetëra intervistave me ata që kishin njohuri për pretendimet e tij dhe hetimin në vazhdim, duke përfshirë disa persona që folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar për t’i diskutuar ato.

Hetimi përqendrohet pjesërisht te George Zoumberos, një nga ish-partnerët e Irizarry-t, i cili udhëtoi shpesh jashtë SHBA-së për hetime që kishin të bënin me pastrimin e parave. Irizarry i tha AP-së se Zoumberos gëzonte qasje të pakufizuar në të ashtuquajturat fonde komisioni dhe i përdorte në mënyrë të parregullt ato para për blerje personale dhe udhëtime të pajustifikuara, duke përdorur emra njerëzish që nuk ekzistonin në raportet e DEA-s që justifikonin tejkalimet.

Zoumberos mbeti agjent i DEA-s edhe pasi u arrestua dhe u ndalua për pak kohë me akuzat për sulm seksual gjatë një udhëtimi në Madrid në vitin 2018. Ai dha dorëheqjen vetëm pasi iu hoq arma, distinktivi dhe leja e sigurisë, pasi përdori të drejtat e tij të Amendamentit të Pestë për të mos folur deri në fund të vitit 2019, kur i njëjti prokuror që akuzoi Irizarry-n e thirri atë për të dëshmuar para një jurie të madhe federale në Tampa.

Kjo foto e siguruar nga Zyra e Sherifit të Qarkut Pinellas në nëntor 2022 tregon Michael Zoumberos, i cili u burgos në mars pasi kundërshtoi të dëshmonte para një jurie të madhe federale që hetonte sjelljen e pahijshme në DEA

Autoritetet janë aq të përqendruara në hetimin e Zoumberos, saqë ata thirrën gjithashtu vëllain e tij, një fotograf dasmash në Florida, i cili udhëtoi dhe festoi nëpër botë me agjentët e DEA-s, madje i dhanë atij imunitet për të nxitur bashkëpunimin e tij. Por Michael Zoumberos gjithashtu kundërshtoi të dëshmonte dhe është burgosur jashtë Tampas që nga marsi për ‘mospërfillje civile’, një taktikë presioni jashtëzakonisht e rrallë që nënvizon ‘temperaturën në rritje’ të hetimit.

“Unë nuk kam bërë asgjë të keqe, por nuk do flas për vëllain tim.” – i tha Michael Zoumberos AP-së në një intervistë në burg.

“Unë jam duke u mbajtur në thelb si i burgosur politik i FBI-së. Ata duan të më detyrojnë të bashkëpunoj.”

Disa agjentë të tanishëm dhe të mëparshëm të DEA-s thonë se pretendimet e Irizarry-t janë trillime e të fryra. Ish-agjenti i ICE-së u tall  dhe hodhi poshtë akuzën e Irizarry-t se mori një ryshfet 20,000 dollarësh, duke thënë se ai kishte dhënë alarmin për Irizarry-n më herët. Avokati i vëllezërve Zoumberos tha se prokurorët janë në një ‘ekspeditë peshkimi’ për të ngritur më shumë aktakuza për shkak të sikletit të skandalit ‘Irizarry’.

Jose Irizarry, një agjent dikur i shquar i DEA-s i dënuar me më shumë se 12 vjet burg federal për komplot për të pastruar para me një kartel kolumbian, flet gjatë një interviste në San Juan, Puerto Rico, 5 janar 2022.

“Të gjithë ata që i lidhin me Jose-në janë të jashtëm ndaj vjedhjeve të tij.” – tha avokati Raymond Mansolillo.

“Ata po kërkojnë të gjejnë një krim që i përshtatet këtij rasti në krahasim me një krim që ka ndodhur në të vërtetë. Por, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, ata do akuzojnë dikë për diçka, sepse ata nuk duan të dalin duarbosh nga e gjithë kjo pas pesë vitesh hetime, ndërkohë që kanë akuzuar vetëm José-në.”

Për t’i bërë më flagrante akuzat e Irizarry-t, është se ato erdhën pas raportit të një Inspektori të Përgjithshëm në vitin 2015, i cili kritikoi agjentët e DEA-s për pjesëmarrje në ‘orgji seksuale’ me prostituta të punësuara nga kartelet kolumbiane. Kjo shkaktoi pezullimin e disa agjentëve dhe daljen në pension të Michele Leonhart, administratorja e DEA-s në atë kohë.

Në qendër të hetimit të Irizarry janë marrëdhëniet tepër komode të zhvilluara midis agjentëve dhe informatorëve – të ndaluara rreptësisht sipas udhëzimeve federale – dhe kontrollet e lira mbi operacionet e fshehta të pastrimit të parave të drogës nga DEA, që pak amerikanë e dinë se ekzistojnë.

Çdo vit, DEA pastron dhjetëra miliona dollarë në emër të karteleve më të dhunshme të drogës në botë përmes kompanive guaskë, një taktikë e mbrojtur në hetimet jashtë shtetit, si ‘Operacioni White Wash’ që rezultoi në më shumë se 100 arrestime dhe kapjen e më shumë se 100 milionëve dollarë dhe një tonelate kokainë.

Por DEA është përballur gjithashtu me kritika për lejimin e shumave të mëdha të parave në operacione që të mos kapeshin – duke u mundësuar karteleve të vazhdonin tregtinë e tyre – dhe për dështimin në mbikëqyrjen dhe gjurmimin e ngushtë të objektivave, duke e bërë të vështirë vlerësimin e rezultateve.

Një raport i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë në vitin 2020 fajësoi DEA-në për dështimin, të paktën që nga viti 2006, për të paraqitur raporte vjetore në Kongres në lidhje me këto goditje, të njohura si ‘Operacionet e Jashtme të Prokurorit të Përgjithshëm’.

Qortimi, i shoqëruar me sikletin e sjellë nga rrëfimi i Irizarry-t, e shtyu administratoren e DEA Anne Milgram të urdhëronte një rishikim të jashtëm të operacioneve të jashtme të agjencisë, i cili është në vazhdim.

Kjo foto e siguruar nga Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës tregon kartmonedhat amerikane të konfiskuar në “Operation White Wash” në vitin 2016

“Në shumicën dërrmuese të këtyre operacioneve, askush nuk po vëzhgon.” – tha Bonnie Klapper, një ish-prokurore federale në Nju Jork dhe kritike e hapur e pastrimit të parave të DEA-s.

“Në operacionin ‘Irizarry’, askujt nuk i interesonte se sa para po pastronin. Askujt nuk i interesonte që nuk po ngrinin asnjë rast, asnjë hetim. Askush nuk po shihte brenda shtëpisë. Nuk kishte kontrolle.”

Rob Feitel, një tjetër ish-prokuror federal, tha se mbikëqyrja e dobët e DEA-s e bëri të lehtë devijimin e fondeve për të gjitha llojet e qëllimeve të pamiratuara. Dhe për sa kohë që konfiskimet e parave i mbanin statistikat më të larta, pak pyetje u bënë.

“Agjentët e tjerë nuk janë budallenj. Ata e dinin se nuk kishte kontrolle dhe shumë prej tyre mund të kishin bërë atë që bëri Irizarry.” – tha Feitel, i cili përfaqëson një ish-agjent të DEA-s nën hetim.

“Linja që ndan Irizarry-n nga të tjerët është se ai e bëri atë me të dyja duart dhe e bëri atë pa pushim. Ai jo vetëm që provoi ujin, por u fut dhe u la aty kokë e këmbë.”

Irizarry, i cili flet në një mënyrë të butë që kalon pa probleme midis anglishtes dhe spanjishtes, ishte një Marshall Federal Ajror dhe agjent i Patrullës Kufitare përpara se t’i bashkohej DEA-s në vitin 2009. Ai tha se i mësoi truket e pazareve si një fillestar i DEA-s nga policët veteranë që erdhën në Nju Jork në vitet 1990 kur kokaina përmbyti rrugët amerikane.

Por një pjesë tjetër kryesore e edukimit të tij erdhi nga Diego Marín, një informator për një kohë të gjatë i SHBA-së, i njohur nga hetuesit si ‘Mbreti i Kontrabandës’ i Kolumbisë për pastrimin e parave të drogës përmes pajisjeve të importuara dhe mallrave të tjera. Irizarry tha se Marín i mësoi atij më mirë se çdo agjent, shkëmbimet përmes pesos në tregun e zi, të përdorur nga trafikantët e narkotikëve në të gjithë botën.

Irizarry e përdori atë njohuri duke e kthyer në një jetë luksoze, që prokurorët thonë se ishte financuar me 9 milionë dollarë, që ai dhe bashkëpunëtorët e tij kolumbianë devijuan nga hetimet për pastrim parash.

Për të çuar më tej skemën, Irizarry paraqiti raporte të rreme dhe urdhëroi stafin e DEA-s që të transferonte paratë e parashikuara për goditje të fshehta në llogaritë ndërkombëtare që kontrollonte ai dhe bashkëpunëtorët. Informatorët që mbanin një komision të madh nga çdo transferim i parave të sanksionuara nga DEA, gjithashtu ndërhynë për të financuar disa nga argëtimet e tij, në atë që përbënte ryshfete të paligjshme.

Zakonet e shpenzimeve të Irizarry shpejt filluan të imitojnë shijet e dukshme të karteleve që ai kishte për detyrë të godiste, me plaçka që përfshinin një unazë diamanti 30,000 dollarësh Tiffany për gruan e tij, makina sportive luksoze dhe një shtëpi 767,000 dollarë në qytetin turistik kolumbian Cartagena. Ai udhëtonte në klasin e parë në Evropë me bagazhe ‘Louis Vuitton’, duke mbajtur në dorë një orë të artë ‘Hublot’.

“Isha shumë i mirë në atë që bëja, por u bëra dikush që nuk isha…Unë u bëra tjetër njeri.” – tha Irizarry.

“U deha pas stilit të jetesës. U përfshiva me informatorët dhe me festat.”

Irizarry pretendon se deri në 90% e udhëtimeve të punës së grupit të tij ishin ‘të falsifikuara’, të diktuara nga ahengje dhe ndeshje sportive, jo nga puna e vërtetë. Dhe ai thotë se paratë e qeverisë amerikane që ndihmuan për të paguar këto ishin të justifikuara në raporte si ‘të lidhura me hetimet, por ky është një term shumë i paqartë’.

Rasti në fjalë: Një udhëtim në Madrid i gushtit 2014 për finalet e futbollit të Superkupës Spanjolle që u ngarkua si shpenzim për ‘Operacionin White Wash’.

Irizarry u tha hetuesve se kishte pak punë për t’u bërë, përveç takimeve të mirësjelljes me disa policë miqësorë spanjollë. Në vend të kësaj, tha ai, agjentët e kalonin kohën e tyre duke ngrënë në restorante të shtrenjta me fatura deri në 1000 euro dhe duke shijuar vendet VIP në stadium për ndeshjen e kampionatit mes Realit dhe Atletico Madridit.

Agjentëve iu bashkua Michael J. Garofola, një prokuror federal i atëhershëm i Miamit dhe pjesëmarrës i dikurshëm në spektaklin ‘The Bachelorette’, i cili postoi një foto me gishtin lart në Instagram duke qëndruar pranë Irizarry-t dhe një agjenti tjetër, të gjithë të veshur me fanelat e Realit të Madridit.

“Duke u zhytur në jetën e kulturës spanjolle para se të themi lamtumirë.” – postoi ai në rrjetet sociale disa ditë më vonë jashtë një lokali.

Irizarry pretendoi se Garofola gjithashtu iu bashkua agjentëve, informatorëve të kartelit dhe të tjerëve në kryeqytetin Dominikan, Santo Domingo në vitin 2014 për një natë në një klub striptizmi të quajtur ‘Doll House’.

Në një memorandum drejtuar gjykatës, që kërkonte uljen e dënimit të tij, Irizarry kujtoi se ishte në dhomën VIP me një agjent tjetër dhe Garofola-n, me një faturë prej 2300 dollarësh të paguar nga një emisar i dhunshëm i Marín me një pseudonim kërcënues që përputhet me një ‘Iguana’.

Garofola tha se udhëtimet përfshinin punë zyrtare dhe ai supozoi se gjithçka po paguhej nga fondet e DEA-s.

“Kishte gjëra rreth udhëtimeve që më bënin të pyesja pse isha atje.” – tha Garofola për AP.

“Por Irizarry më përdori plotësisht për të ndjekur këtë sjellje. Isha krejt i ri, i pastër dhe i etur për të punuar në rastet e pastrimit të parave. Ai më përdori thjesht duke më pasur aty.”

Kur Irizarry u shpërblye me një transferim në Cartagena në 2015, festa pasoi. Pishina e agjentit në katin e fundit të apartamentit, me pamje nga oqeani, u bë një ndalesë e detyrueshme për vizitat e agjentëve dhe prokurorëve nga SHBA-ja.

Njëra që Irizarry kujton se kishte parë atje ishte Marisa Darden, një prokurore nga Cleveland, për të cilën ai thotë se udhëtoi për në Kolumbi në shtator 2017 dhe ishte në një mbledhje ku pa dy agjentë të DEA-s duke marrë ekstazi. Irizarry thotë se nuk e pa Darden duke marrë drogë.

Autoritetet federale kanë shfaqur një interes të madh për festën në fjalë, duke e pyetur Irizarry-n për të edhe këtë verë. Të paktën një agjent i DEA-s që mori pjesë në festë është pezulluar në leje administrative.

Darden u bë ortake në një firmë ligjore të fuqishme në Cleveland dhe vitin e kaluar u emërua nga presidenti Joe Biden si prokurorja e parë me ngjyrë në Ohion veriore. Por menjëherë pasi ajo u konfirmua, Darden u tërhoq papritur në maj, duke përmendur ‘rëndësinë e dhënies përparësi të familjes’.

Darden refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të AP, por avokati i saj tha në një deklaratë se ajo ‘bashkëpunoi plotësisht’ me hetimin federal për ‘veprimtarinë e supozuar të paligjshme nga agjentët federalë’, një hetim i veçantë nga kontrolli i historisë së FBI-së me të cilën u përball në procesin e konfirmimit.

“Nuk ka asnjë provë se ajo ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.” – shkroi avokati i Darden, James Wooley, në një email për AP.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se akuzat nuk u ngritën deri në procesin e verifikimit. Senatori amerikan Sherrod Brown, një demokrat nga Ohio që propozoi emrin e Darden për postin, gjithashtu tha përmes zyrës së tij se nuk ishte në dijeni të akuzave në procesin e nominimit të saj dhe po ta dinte ai ‘do e kishte tërhequr mbështetjen e tij’.

Një prokurore tjetër federale e emërtuar nga Irizarry dhe e pyetur nga agjentët federalë ishte Monique Botero, e cila së fundmi u promovua në krye të divizionit të narkotikëve në zyrën e prokurorit të SHBA-së në Miami. Irizarry u tha hetuesve dhe AP-së se Botero iu bashkua një grupi agjentësh, informatorësh, policësh kolumbianë dhe prostitutash për një festë në një jaht luksoz.

Avokatët e Botero-s pranojnë se ajo ishte në jaht në shtator 2015 në atë që ajo mendonte se ishte një lundrim i organizuar nga policia lokale, por ata thonë se ‘kategorikisht dhe pa mëdyshje, Monique kurrë nuk ka parë ose marrë pjesë në ndonjë gjë të paligjshme ose joetike’.

“Irizarry ka pranuar se ka gënjyer për të gjithë rreth tij për arsye të ndryshme. Këto gënjeshtra për Monique janë pjesë e një modeli të ngjashëm.” – tha avokati i saj, Benjamin Greenberg.

“Është e tmerrshme që Monique po keqtrajtohet dhe ndaj saj po shpifet nga një person i demaskuar si Irizarry.”

Rënia e Irizarry-t ishte sa e papritur aq edhe e pashmangshme – rrjedha e një stili jetese luksoze që  ngriti shumë dyshime, madje edhe mes kolegëve që ishin të gatshëm t’u shmangeshin edhe vetë rregullave. Përfundimisht, ai u tradhtua nga një prej të besuarve të tij më të ngushtë, një informator venezuelano-amerikan i cili rrëfeu se kishte devijuar fondet nga goditjet e fshehta.

“Problemi i Jose-së është se ai i çoi gjërat deri në marrëzi dhe e prishi festën për të gjithë të tjerët.” – tha një avokat mbrojtës që udhëtoi me Irizarry-n dhe agjentë të tjerë.

“Por nuk ka dyshim se ai nuk veproi vetëm.”

Që nga arrestimi i tij, Irizarry ka shkruar një libër të vetëbotuar të titulluar “Kthimi në rrugën e duhur”, pjesë e përpjekjes së tij për të shlyer gabimet e tij dhe për të ndjekur një rrugë më të thjeshtë e të ndershme, pasi solli kaq shumë turp mbi veten dhe familjen e tij.

Kohët e fundit, gruaja e tij me origjinë kolumbiane – e cila u kursye nga burgu për një akuzë për pastrim parash në këmbim të rrëfimit të Irizarry-t – i tha atij se po kërkonte divorcin.

Dëshpërimin e Irizarry-t i shtohet fakti se ai është ende i vetmi që paguan një çmim kaq të rëndë për një model sjelljeje të pahijshme që ai thotë se DEA lejoi të ‘qelbëzohet’. Deri më sot, prokurorët nuk kanë akuzuar ende ndonjë agjent tjetër, dhe disa ish-kolegë janë tërhequr në heshtje në vend që të përballen me turpin e mundësisë së shkarkimit.

“Unë u kam thënë atyre gjithçka që di.” – tha Irizarry.

“Gjithçka që ata duhet të bëjnë është të gërmojnë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP

*Për shkrimin dhanë ndihmën e tyre Aritz Parra në Madrid dhe Chris Megerian në Uashington.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani