Vendosni fjalën kyçe....

Meta akuza Ramës për projektin e Portit të Durrësit: Shkel Kushtetutën, do pastrohen para


Kreu i Partisë së Lirisë Meta deklaroi sot se Projekti i Portit të Durrësit nuk është aspak strategjik, po thjesht një projekt ndërtimi pallatesh ku do dalen qindra milionë euro taksa e 820 mijë metra katrorë tokë.

Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se përjashtimi nga taksat është shkelje flagrante e Kushtetutës ndërsa sipas tij, Plani i Financimit të Projektit, qartëson se bëhet fjalë për një skemë pastrami parash.  

“Projekti nuk është një projekt strategjik por është thjesht një projekt ndërtimi pallatesh dhe apartamentesh, pasi në fund të të gjithë këtij projekti, rezultojnë të ndërtuara vetëm dy hotele me 800 shtretër dhe një marinë e vogël me 280 vende parkimi. Do të falen qindra milionë euro taksa, falen 820 mijë metra katrorë me një vlerë edhe kjo qindra milionë euro, është parashikuar edhe fond për shpronësime të tjera dhe e gjithë kjo, do të bëhet për të ndërtuar apartamente. Përjashtimi nga taksat është një shkelje flagrante e Kushtetutës, pasi trajton në mënyrë të diferencuar bizneset e një kategore, pra në Durrës, kompanitë e ndërtimit të zakonshme do të paguajnë 7% taksë (4% për Taksën e Ndikimit në Infrastrukturë dhe 3% Taksa e Strehimit Social), ndërsa apartamentet e Edi Ramës do të përjashtohen nga kjo taksë… Ashtu sic del e qartë nga Plani i Financimit të Projektit, është e qartë se kemi të bëjmë me një skemë të pastrimit të parave, sepse vetëm 6.8% e investimit prej 2 miliardë Euro, do të financohen përkatësisht: 3.4% nga aksionerët dhe 3.4% nga Bankat. Pra, rreth 130 milionë euro. Ndërsa pjesa tjetër, 93.2% do të jetë me vetë-financim, pra, prit të shiten apartamentet që investimi të vazhdojë – tha Meta.

Kreu i PL-së shtoi më tej se pavarësisht faktit që BE-ja ka qenë e qartë dhe e prerë për ‘Pasaportat e Arta’, marrëveshja për Portin e Durrësit e qeverisë parashikon marrjen e tyre nga të gjithë personat që blejnë një apartament në këtë projekt.

Meta shtoi se kryeministri Rama po shkon kundër BE-së me këtë gjë duke rrezikuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe se e bën të gjithën për të pastruar para.

Megjithëse Bashkimi Europian ka qenë i qartë dhe i prerë lidhur me pasaportat e Arta, për të cilat rrezikohet seriozisht lëvizja e qytetarëve shqiptarë në BE, marrëveshja e Edi Ramës parashikon që kush blen një apartament mund të marrë një pasaportë shqiptare, pra të lëvizë në të gjithë zonën Schengen. Përse, Edi Rama është i gatshëm të sakrifikojë lëvizjen e lirë të Shqiptarëve? Përgjigja është e qartë, për të pastruar para. Bashkimi Europian ka qenë i qartë dhe i prerë që ky projekt është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. A mungojnë në Europë investitorët shumë të fuqishëm dhe seriozë që mund të investonin seriozisht dhe me transparencë në Portin e Durrësit? Cili është fati, kur do ndërtohet dhe a ka burim financimi për portin e ri të mallrave që do duhet të ndërtohet e që kushton mbi 1 miliardë e gjysëm Euro? Është shumë e qartë se projekti nuk është aspak strategjik, nuk është aspak turistik, dhe nuk është aspak transformues për potencialin turisitik të qytetit, sepse është qartazi një biznes ndërtimi apartamentesh duke grabitur pronen me strategjike te Shqiperise.” – shtoi Meta.