Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Do bëjmë çdo gjë për të parandaluar krimin monstruoz në Portin e Durrësit, kush shkel ligjin përballet me drejtësinë


Kreu i Partisë së Lirisë paralajmëroi sot se skenari i përdorur në Projektin e Portit të Durrësit është i njëjtë me atë të incenatorëve duke thënë se historia do mbyllet në mënyrë të ngjashme, duke çuar në burg disa bedela.

Në një konferencë për mediat nga selia e partisë, ai u bëri thirrje punonjësve të administratës që të bëjnë kujdes e të mos zbatojnë urdhrat e qeverisë që shkelin ligjin pasi do përballen me drejtësinë.

“Skenari si inceneratorët. Këto janë krenaritë e investimeve të tij mafioze. Kështu do përfundojë kjo histori, me disa bedela. Dhe të gjitha historinë e mashtrimeve atje do përfundojë. Kam një mesazh për çdo punonjës në administratë; të jenë të kujdesshëm, të ruajnë integritetin, mos t’i binden urdhrave që i komprometojnë në shkeljen e ligjit. Pasi Edi Rama e ka zgjidhur problemin e tij, ai do të jetë shumë shpejt përballë drejtësisë. Mesazhi i 12 nëntorit ishte i qartë. Ai është fillimi i asaj stuhie demokratikë që ka nisur në Shqipëri dhe që do i japë përgjigje pinjollit të Kristaqit, Kolekëve që menduan të instalonin regjimin.” – tha Meta.

Kreu i PL-së shtoi më tej se opozita do bëjë gjithçka për të parandaluar atë që e quajti krim monstruoz siç është projekti i Portit të Durrësit, që shkatërron portin, fal tokë publike e pastron para.

“Do të bëjmë të gjitha veprimet për të parandaluar këtë krim monstruoz që mund ta bëjë vetëm një njeri i marrë peng, nga ata që kërkojnë defaktorizimin e Shqipërisë dhe që e kanë arritur deri tani duke shkatërruar edhe potencialin e jashtëzakonshmë që ka vendi ynë, duke pasur portin e Durrësit sepse ky asgjëson Portin e Durrësit dhe ndërtimi i një porti i ri jo vetëm do të ishte i kushtueshëm dhe do të kërkonte kohë, por do të devijonte trafikun në portet e tjera të rajonit. Është një histori tepër e qartë. Ku është investimi i guaskës nga Holanda. Janë lekët e taksapaguesve që shkojnë te guaskat dhe ato i di shumë mirë Edi Rama dhe si i ndajnë.” – shtoi Meta.