Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i Admiralit amerikan: Kriza në Ukrainë asgjë përballë kërcënimit të Kinës, duhet të përgatitemi


Admirali i Marinës amerikane Charles A. Richard, komandanti i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara (Stratcom), ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë nuk është konflikti më i madh që SHBA-të do shohin, duke paralajmëruar se ajo duhet të përgatitet për një konflikt global që përfshin Kinën.

“Kriza e Ukrainës ku jemi është vetëm faza e parë.” – tha Richard gjatë një fjalimi në Simpoziumin Vjetor të Nëndetëseve.

“Ajo që po vjen është më e madhe. Nuk do kalojë shumë kohë para se ne të provohemi në mënyra që nuk i kemi parë prej shumë kohësh. Ne duhet të bëjmë një ndryshim të shpejtë, thelbësor në mënyrën se si i qasemi mbrojtjes së kombit.” – vijoi ai.

“Edhe pse e vlerësoj nivelin tonë të parandalimit kundër Kinës, anija po fundoset ngadalë. Po mbytet ngadalë, por po fundoset, pasi në thelb ata po vendosin aftësinë në terren më shpejt se ne.” – tha Richard.

“Ndërsa ata ecin në këtë rrugë me shpejtësi, nuk do ketë rëndësi se sa i mirë është plani ynë operativ ose sa të mirë janë komandantët tanë.” – theksoi Admirali.

Richard tha gjithashtu se SHBA-ja duhet të shikojë në të kaluarën e saj të zhvillimit ushtarak për të parë se si mund të rrisë dominimin e saj në sferën ushtarake ndërkombëtare.

“Ne dinim se si të lëviznim shpejt dhe e kemi humbur artin në këtë drejtim.” – tha ai.

Pavarësisht shqetësimeve të Richard-it, presidenti i Kinës Xi Jinping kohët e fundit ka bërë thirrje për një marrëdhënie më të mirë midis SHBA-së dhe Kinës.

Në mesazhin e tij të parë publik drejtuar presidentit të SHBA-së Joe Biden, që kur zgjeroi sundimin e tij mbi Partinë Komuniste, Xi Jinping tregoi se të dy vendet duhet të kthehen në një ‘marrëdhënie të shëndoshë e të qëndrueshme’.

“Bota sot nuk është as e qetë dhe as e qëndrueshme. Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy vende kryesore. Komunikimi dhe bashkëpunimi më i ngushtë mes nesh do ndihmojë në sjelljen e një stabiliteti dhe sigurie më të madhe në botë dhe do të nxisë paqen dhe zhvillimin botëror.” – i tha Xi Komitetit Kombëtar mbi Marrëdhëniet SHBA-Kinë (NCUSCR).