Vendosni fjalën kyçe....

Zbulimi i ri në Itali mund të ‘rishkruajë historinë’


Historianëve mund t’u duhet të rishikojnë historinë e marrëdhënieve midis qytetërimit etrusk dhe Perandorisë Romake, pasi Ministria e Kulturës e Italisë njoftoi zbulimin e disa dhjetëra statujave prej bronzi në një burim të lashtë termal toskan, që besohet të jenë mbi 2000 vjet të vjetra.

Massimo Osanna, drejtori i muzeve të ministrisë, e përshëndeti zbulimin si një nga më domethënësit ndonjëherë në rajonin e Mesdheut.

Ai shpjegoi se figurinat prej bronzi – të cilat përshkruajnë njerëz, perëndi dhe pjesë të veçanta të trupit – u gjetën të ruajtura në mënyrë perfekte pasi ishin të mbuluara me baltë. Krahas statujave, arkeologët thuhet se gjetën edhe rreth 5000 monedha ari, argjendi dhe bronzi.

Sipas Jacopo Tabolli, i cili bashkërendoi gërmimin në Siena, zbulimi hedh dritë të re mbi qytetërimin etrusk dhe zgjerimin e Perandorisë Romake midis shekujve 1 dhe 2 para Krishtit.

Ai tha se statujat mbajnë mbishkrime etrukse e latine.

“Kjo mundësi për të rishkruar marrëdhënien dhe dialektikën midis etruskëve dhe romakëve është një mundësi e jashtëzakonshme.” – deklaroi ai, siç citohet nga Associated Press.

Për të treguar rëndësinë e këtij zbulimi, Ministria e Kulturës e Italisë ka njoftuar ndërtimin e një muzeu të ri në zonë për të ruajtur antikitetet e sapogjetura.

Qytetërimi etrusk ishte një nga disa qytetërime që banonin në gadishullin italian përpara ngritjes së Perandorisë Romake. Besohet se është zhvilluar nga njerëzit e rajonit të Etrurisë që në vitin 900 para Krishtit. Shtetet etruske ndanin një gjuhë dhe kulturë të përbashkët dhe mbulonin territorin e asaj që sot është Toskana, Umbria perëndimore dhe Lazio veriore.

Qytetërimi etrusk u asimilua më vonë në Perandorinë Romake. Historianët besojnë se procesi filloi në fund të shekullit të 4-të para Krishtit pasi shpërthyen luftërat midis romakëve dhe etruskëve. Perandoria Romake përfshiu plotësisht të gjitha territoret etruske në 27 para Krishtit.