Vendosni fjalën kyçe....

Takim sekret me Berishën? Alibeaj: Fantazi e analistëve, ndarjet nuk zgjidhen me takime sekrete


“Ka pasur një takim sekret mes Alibeajt dhe Berishës.”– Kështu ka thënë analisti Artur Zheji sot në programin “Pikat mbi i” në “News 24”.

Ai tha se ka informacione nga burimet e tij se ka ndodhur një takim në 2-3 ditët e fundit mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeajt, mirëpo takimi mes tyre ka dështuar.

Menjëherë pas deklaratës së tij ka reaguar Alibeaj, i cili e cilësoi deklaratën e tij si një ‘fantazi’ dhe këmbënguli se nuk ka pasur asnjë takim sekret.

“Takimet ‘sekrete’ dhe ‘prapaskenat’ mund të jenë subjekt për ndonjë tregim apo roman, por jo për të përshkruar atë që po ndodh së fundmi në PD. Me gjithë dëshirën e mirë dhe fantazinë e zhvilluar të disa analistëve nuk ka patur asnjë takim sekret.

I qëndroj bindjes time se ndarjet për çështjet thelbësore nuk zgjidhen as me prapaskena dhe as me takime sekrete. Përballja me të vërtetën është melhemi i vetëm për realitetin!” – shkruan Alibeaj në rrjetet sociale.