Vendosni fjalën kyçe....

Balla viziton në spital Fredi Kokoneshin: Një i çmendur mori thikën dhe e qëlloi


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili është njëkohësisht drejtues politik i kësaj force politike për qarkun e Fierit, ka vizituar në spital kryetarin e bashkisë së Divjakës dhe shoferin të cilët mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se kryebashkiaku Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ai tha se ky sulm është një produkt i një ndasie dhe përçarjeje që ndodh çdo ditë në vendin tonë. Balla shtoi se gjithçka di për ngjarjen është se një “i çmendur ka marrë thikën dhe ka dalë të godasë” dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund ndasive dhe urrejtjes mes shqiptarëve.

“Ngjarja është shumë e rëndë, natyrshëm që shpresoj që edhe kolegu ynë dhe bashkëpunëtori I tij I ngushtë, punonjësi i nderuar I Bashkisë së Divjakës t’ja hedhin kësaj. Sipas mjekëve të dy i janë nënshtruar ndërhyrje kirurgjikale dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë për të dy. Është një ngjarje e rëndë që më vjen keq ta them, është produkt i kësaj ndasie dhe përçarjeje që mbillet çdo ditë. Shpresoj që çdo qytetar shqiptar ta kuptojë që në këto ditë të vështira dhe në këto kushte të vështira lufte të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë.

Ju lutem se ju mediat keni një huq shumë të keq! Edhe kur ka fatkeqësi ju e çoni gjuhën mbrapsht. Lëreni policinë dhe drejtësinë të bëjë punën e vet. Sepse t’i marrësh jetën tjetrit nuk ta justifikon për asnjë gjë. Pra dy persona sot po luftojnë për jetën. Nuk e di se kush është arsyeja, di që një i çmendur ka marrë thikën, ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar të godasë! Dhe po ju them se burimi i kësaj ndasie dhe urrejtje duhet të ndalet. Ne shqiptarët jemi pak, nuk jemi shumë dhe mjaft më duke vrarë njëri-tjetrin.”– tha Balla.