Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti i BE-së: Vendet anëtare s’po bëjnë sa duhet për të hetuar spiunimin ndaj politikanëve e gazetarëve


Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë kritikuar si Komisionin Evropian ashtu edhe shtetet anëtare të BE-së se nuk kanë bërë sa duhet për të hetuar përdorimin e një programi spiunimi për të vëzhguar politikanët dhe gazetarët.

Komiteti Parlamentar Evropian për hetimin e përdorimit të programit spyëare Pegasus, i cili ishte gjetur në telefonat e politikanëve dhe gazetarëve në të gjithë Evropën, tha në një raport të botuar këtë javë, se si Komisioni Evropian ashtu edhe qeveritë e shteteve anëtare kishin heshtur e ngurruar për të bashkëpunuar për këtë çështje.

“Në të paktën katër shtete anëtare, Poloni, Hungari, Greqi dhe Spanjë, ka pasur përdorim të paligjshëm të programit dhe ka dyshime për përdorimin e tij në Qipro.” – tha komiteti, raporton gazeta greke Ekathimerini.

Vitin e kaluar u zbulua se program Pegasus, i cili e ka origjinën në Izrael, kishte infektuar telefonat e politikanëve, gazetarëve dhe aktivistëve në të gjithë globin, duke përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian si Hungaria, Spanja dhe Polonia.

Programi i cili lejon futjen në mesazhe, fotografi dhe elementë të tjerë të një telefoni të infektuar, fillimisht u krijua nga grupi NSO dhe u tregtua për të luftuar krimin, me kompaninë duke deklaruar se do të merrte masa ligjore kundër çdo klienti që përdor programin në mënyrë të papërshtatshme dhe do anulonte kontratat.

Skandali rreth Pegasus bëri që Grupi NSO të zëvendësojë drejtorin ekzekutiv në gusht të këtij viti dhe të riorganizojë operacionet e tij.