Vendosni fjalën kyçe....

Inflacioni gjerman i afrohet kulmit 50-vjeçar


Inflacioni vjetor në Gjermani u përshpejtua në 7.9% në maj, tregojnë vlerësimet përfundimtare nga Zyra Federale e Statistikave të vendit (Destatis). Vetëm në maj, çmimet e konsumit u rritën me 0.9%, pas rritjes me 0.8% në muajin prill.

Sipas njoftimit për shtyp të agjencisë të martën, kjo është rritja më e madhe e inflacionit që ka goditur ekonominë më të madhe të Evropës në pothuajse gjysmë shekulli.

“Inflacioni në Gjermani tregon maksimum për të tretin muaj radhazi. Arsyeja kryesore për inflacionin e lartë është ende rritja e çmimeve të energjisë. Gjithashtu po shohim një rritje të çmimeve për shumë mallra të tjera, veçanërisht ushqimore. Hera e fundit që një nivel kaq i lartë inflacioni u vu re ishte në dimrin e viteve 1973-1974, kur çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si pasojë e krizës së naftës” – citohet të letë thënë presidenti i Destatis, Georg Thiel.

Gjermania po përballet me krizën e kostos së jetesës mes rritjes së çmimeve globale të energjisë, të nxitura nga sanksionet anti-ruse të lidhura me Ukrainën. Çmimet e gazit natyror janë rritur me 55,2% krahasuar me majin 2021 dhe çmimet e karburanteve janë rritur me 41%, tregojnë të dhënat e Destatis.

Raporti thotë se pa rritjen e kostove të ushqimit dhe energjisë, inflacioni do të kishte qenë më pak se gjysma e normës së tanishme. Agjencia vëren se çmimet po ndikohen gjithashtu nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit pas pandemisë.

Analistët presin që rritja e çmimeve të ngadalësohet në muajt e ardhshëm, me Bundesbank të Gjermanisë që parashikon një normë inflacioni prej 7.1% deri në fund të këtij viti.