Vendosni fjalën kyçe....

Dhunimi i 22-vjeçares nga Kenia e fshehja e ngjarjes për 3 muaj radhazi, policia referoi me vonesë ngjarjen në prokurori


Hollësi të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të 13-14 gushtit të këtij viti, ku një 22-vjeçare nga Kenia, e cila ishte rekrutuar për të punuar në një kazino në Tiranë u gjet në gjendje të rëndë pranë shtëpisë së saj në rrethana të mistershme.

Ngjarja u mbajt e fshehtë dhe nuk u raportua asokohe as nga mediat e as nga policia e cila reagoi zyrtarisht vetëm dy ditë më parë, duke dhënë shumë pak hollësi për atë që kishte ndodhur.

Prokuroria ka nisur hetimet rreth dy javë pas ngjarjes, pasi rasti i është referuar me vonesë nga policia e Tiranës, shkruan BW që citon burime të paidentifikuara. Prokuroria ka marrë akt-ekspertimin mjeko-ligjor për 22-vjeçaren, në bazë të cilit është referuar vepra penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, pasi rezulton se e reja është dhunuar.

Organi i akuzës ka marrë në pyetje personat e afërt dhe bashkëkombaset e 22-vjeçares të quajtur Joy nga Kenia që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe njiheshin me të e po ashtu janë marrë në pyetje edhe kontaktet e fundit të vajzës.

Edhe pse kanë kaluar tre muaj nga ngjarja e rëndë dhe prokuroria është duke hetuar ende nuk ka asnjë person të ndaluar apo të dyshuar. Aktualisht 22-vjeçarja Joy ndodhet në gjendje koma në spitalin e Traumës dhe nëna saj pret që ta transferojë në spital jashtë Shqipërisë për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore.

Po kështu e ëma e së resë pohoi pak ditë më parë se policia i ka thënë se vajza e saj mund të ketë tentuar vetëvrasjen, gjë të cilën ajo e ka hedhur poshtë me forcë. Ajo tha gjithashtu se policia nuk i ka dhënë telefonat e së bijës, që natën e ngjarjes kanë qenë mbi krevat.

22-vjeçarja me emrin Joy u gjet në gjendje të rëndë pranë banesës së saj në rrethana të mistershme ndërsa tani ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës. Ajo punonte në kazinonë e dedikuar prane ‘Air Albania’ e cila cila operohet nga një kompani austriake që përfaqësohet ne Tiranë nga shtetasi Bledar Sinanaj i njohur si Dari.