Vendosni fjalën kyçe....

“Policia s’më jep telefonat” – Çfarë thotë nëna e 22-vjeçares së dhunuar nga Kenia (VIDEO)


Nëna e 22-vjeçares keniane ka folur për mediet lidhur me rastin e vajzës së saj, cila ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje kome pasi u gjet pa ndjenja në gusht, pranë banesës.

Zonja tha për “Fax News” se nga Policia i kanë thënë se vajza e saj mund të ketë tentuar vetëvrasjen, por ajo është e bindur se nuk është ky rasti. Ajo thotë se kishte komunikuar me të bijën atë natë dhe ajo ishte ushqyer dhe kishte bërë dhe rrëmujë, gjë që s’do e bënte një person që po mendonte vetëvrasjen. Nëna tha se nuk i jepnin telefonat e të bijës, që ditën e incidentit kishin qenë mbi krevat. Kjo sepse Policia po heton bisedat që e reja mund të ketë bërë.

Ditën e sotme, afro 3 muaj nga ngjarja Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë reagoi për rastin e të resë nga Kenia, e cila ishte rekrutuar për të punuar në një kazino në Tiranë por u gjet në gjendje të rëndë pranë shtëpisë së saj në rrethana të mistershme. Policia dha shumë pak hollësi lidhur me ngjarjen, duke thënë se e ka marrë denoncimin nga shoqja e 22-vjeçares dhe se për rastin në fjalë Komisariati 1 ka vlerësuar denoncimin e ka reaguar në kohë duke e regjistruar për “plagosje të rëndë me dashje”.

Pjesë nga rrëfimi i nënës:

Nëna e vajzës: Vij nga Kenia dhe jam mamaja e Joy. Joy është fëmija im i fundit. Ajo jeton në Shqipërisë dhe këtë vit po kërkonte mundësi për punë këtu në Shqipëri. Ajo aplikoi për punë në fillim të Janarit dhe mbërriti në Shqipëri më 15 Shkurt. Puna e saj ishte në kazino dhe ajo e pëlqente. Ishte okej derisa më 13 gusht, ishte e premte duke u kthyer nga puna në 3 të mëngjesit, pasi vajti në shtëpi, unë po flisja me vajzën dhe ishte me humor. Më pyeti ç’po bëja. I thashë po ushqehem, më tha ‘të bëftë mirë’ dhe më tregoi se edhe ajo kishte porositur ushqim. ‘Sa ta marr dhe do të shkruaj sërish.’ Pasi e mori ushqimin ne filluam të flisnim dhe gjëja e fundit që më tha ishte se ushqimi që kishte porositur ishte shumë i shijshëm. Më pas mendova se do fliste. Ky ishte mesazhi i fundit. Pra në 3:25, më 13 gusht. Më pas unë vijova t’i shkruaja sërish, dërisa të hënën, më 15 gusht, kompania ku ajo punonte më mori në telefon.

Mu prezantuan fillimisht dhe më thanë se vajza ime ka pësuar një aksident afër shtëpisë, dhe më thanë që është në spital.

I pyeta çfarë tipi aksidenti. Sepse unë po flisja me atë të shtunën në mëngjes. Kam folur gjatë gjithë kohës. Dhe ata më thanë se s’mund të më tregonin çdo gjë përmes telefonit, dhe fatkeqësisht vajza s’mund të fliste. Pas disa ditësh komunikimi me kompaninë, i pyeta si është gjendja e vajzës dhe ata më thanë se është në koma. I pyeta se si mund të vija në Shqipëri, si mund të aplikoja për vizë dhe ata më sollën këtu.

Mbërrita këtu më 12 shtator.

Aksidenti i vajzës kur ka ndodhur?

Nëna e vajzës: Aksidenti ka ndodhur më 13 gusht, pra kur ajo u dhunua.

Keni komunikuar me Policinë, çfarë ju thanë ata?

Nëna e vajzës: Kur erdha i mora në telefon, pas një jave me thënë të drejtën sepse mendjen e kisha tek vajza. Vetëm më thanë se po hetonin.

I pelqente vajzës puna që bënte?

Nëna e vajzës: Vajza ime e pëlqente punën, nuk kishte probleme me të. Në fillim të gushtit u transferua nga një kazino në një tjetër dhe po i pëlqente.

A kishte të dashur vajza këtu?

Nëna e vajzës: Ajo nuk kishte të dashur këtu. Një ditë më tha se e kishte ngacmuar një djalë, por e kishte refuzuar. Por si një vajzë e bukur e kanë ngacmuar. Por më thoshte se djemtë shqiptarë e pëlqenin.

Po në lidhje me telefonin e saj? Kush e ka apo nuk e gjetët??

Nëna e vajzës: Ditën e incidentit telefonat ishin mbi krevat.Kur erdha këtu më thanë se telefonat i mori policia dhe deri tani policia nuk mi tregon telefonat dhe më thonë që po investigohen telefonat e saj.

Po avokatët i keni marrë?

Nëna e vajzës: Po kam marrë, duke qenë se policia nuk po më ndihmon kam kërkuar për një avokat që të merret me rastin tim, prej dy javësh e kam një.

A keni qenë në shtëpinë e vajzës?

Nëna e vajzës: Po. Kur shkova në komisariat herën e parë ata me morën që të shihja shtëpinë ku jetonte dhe javën e kaluar kur shkova të mblidhja gjërat e saj.

Nuk vutë re ndonjë gjë të çuditshme atje?

Nëna e vajzës: Nuk pashë ndonjë gjë të çuditshme, e vetmja gjë e çuditshme pashë që krevati i vajzës, pra vajza jetonte në kat të dytë por nuk ishte i lartë, sepse policia më tha që ndoshta ka tentuar të kryej vetëvrasje ose mund te kete rënë aksidentalisht nga dritarja. Jo nuk e besoj këtë. Jo Jo. Sepse gjithçka më tregoi atë natë ishte se ishte e qetë dhe po ushqehej në krevat, dhe ushqimi ishte i shpërndarë, dikush që do të vetëvritet nuk bën rremujë. Kjo është e sigurt, une besoj se dikush e ka lënduar atë. Sepse asgjë nuk është marrë nga shpia e saj, as celularët, dera nuk ishte e thyer asgjë e tillë.