Vendosni fjalën kyçe....

‘British Airways’ lejon personelin mashkull të bëjë makiazh, manikyr e të mbajë çanta dore


Stafit të British Airways iu tha që ‘të jenë të guximshëm, krenarë e vetvetja’ pasi linja ajrore rishikoi rregullat e saj strikte të uniformës duke lejuar stjuardët e pilotët meshkuj të vënë makiazh e të mbajnë çanta dore gjatë fluturimeve.

Në një memo të brendshme të lëshuar të mërkurën dhe të cituar nga media, kompania i tha stafit se udhëzimi i ri do ‘përqafohej nga të gjithë, pavarësisht nga gjinia, identiteti gjinor, etnia, prejardhja, kultura, identiteti seksual ose të tjera’.

Linja ajrore tha se ishte afër përfundimit të një rishikimi të politikave të saj të vjetra të uniformave pasi linjat ajrore të tjera si Virgin Atlantic vendosën t’i bënin uniformat e tyre tradicionale të meshkujve dhe femrave, asnjanëse ndaj gjinisë.

Sipas Daily Mail, British Airways u tha pilotëve meshkuj dhe ekuipazhit të kabinës se ata mund të vënë ‘Bojë, rimel e buzëkuq’, si dhe qerpikë fals dhe të lyejnë thonjtë e tyre me manikyr.

I gjithë stafi tani do ketë gjithashtu më shumë mundësi për sa i përket modeleve të flokëve, që do të thotë se punonjësit meshkuj do lejohen të krihen sipas modeleve që duan dhe të gjithë do lejohen të mbajnë çanta dore, pavarësisht nga identiteti gjinor ose gjinia.

Një zëdhënës i British Airways tha për median se kompania është ‘e përkushtuar ndaj një mjedisi pune gjithëpërfshirës’ dhe se udhëzimet e përditësuara për rregullimin, bukurinë dhe aksesorët do t’i lejojnë punonjësit të ‘sjellin versionin më të mirë, më autentik të tyre në punë çdo ditë’.

Në shtator, Virgin Atlantic përditësoi politikën e saj të uniformave, por shkoi një hap më tej se British Airways, duke lejuar punëtorët meshkuj të veshin funde dhe të vënë makiazh.