Vendosni fjalën kyçe....

Bajram Begaj zgjidhet president


Bajram Begaj është zgjedhur presidenti i ri i vendit pas votimit në Kuvend. Ai do zëvendësojë Ilir Metën ndërsa emri i tij u propozua nga PS-ja.

Begaj mori 78 vota pro, 4 vota ishin kundër, ndërsa një deputet abstenoi.

Begaj, i cili deri pak orë më parë ka qenë shef i shtabit të ushtrisë hoqi dorë ngë pozicioni duke qenë se të qenit ushtarak aktiv e pengonte atë nga kandidimi.

Dorëheqja e tij u dekretua nga presidenti Meta nga Stambolli ku ndodhet për një vizitë. Emri i Begajt është vlerësuar nga kryeministri Rama, sipas të cilit ai i plotëson të gjitha kushtet për të qenë kreu i ri i shtetit.

Ndërkohë Komisionit i Rithemelimit të PD-së e ka kundërshtuar emrin e Bajram Begajt. Në qëndrimin e tij në Komisionin e Ligjeve pak orë më parë, përfaqësuesi i komisionit Oerd Bylykbashi tha se Begaj është ushtarak aktiv dhe dorëheqja e tij nuk ndryshon asgjë në proces, të cilin e quajti antikushtetues.

Më herët Komisioni i Ligjeve deklaroi se Begaj i plotëson të gjitha kushtet për të qenë kandidat për president, gjë që u kundërshtua edhe nga ish-kryeministri Berisha i cili deklaroi se dekreti i Metës nga Stambolli nuk ka asnjë vlerë ligjore.

Emri i Begajt doli në skenë vetëm dy ditë më parë, ndërsa më herët u përfolën edhe ish-deputetja e PD-së Majlinda Bregu, ish-Kryeprokurorja Ina Rama e anëtari i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve Simon Mirakaj.

Po kështu që prej nisjes së procesit, pati një sërë kandidatësh që u propozuan nga grupe të ndryshme apo u vetëofruan për postin e kreut të shtetit. Zgjedhja e Begajt vjen pas një periudhe të gjatë përplasjesh mes presidentit të tanishëm Meta e kryeministrit Rama.

Ky i fundit e ka dhjetëra herë Metën se ka shkelur ligjin e ka kapërcyer kufijtë e institucionit që përfaqëson duke theksuar se presidenti i ri duhet të jetë krejt i kundërt nga ai në detyrë. Komisioni i Rithemelimit nuk mori pjesë në seancën e votimit të Begajt si presidenti i ri i vendit.

Kush është Bajram Begaj

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze.

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.