Vendosni fjalën kyçe....

Biden do takohet me Xi për herë të parë si president – Shtëpia e Bardhë


Presidenti i SHBA-së Joe Biden do takohet me presidentin kinez Xi Jinping në margjinat e samitit të G20 të javës së ardhshme në Indonezi, tha Shtëpia e Bardhë.

Ndërsa Biden dhe Xi thuhet se do diskutojnë ‘përpjekjet për të ruajtur linjat e komunikimit’, marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë qenë të tensionuara kohët e fundit lidhur me Tajvanin.

Dyshja do takohen të hënën, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, duke shtuar se ata do të ‘diskutojnë një sërë çështjesh rajonale dhe globale’.

Biden dhe Xi folën për herë të fundit me telefon në fund të korrikut dhe nuk janë takuar ballë për ballë që kur Biden mori detyrën janarin e kaluar.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë përkeqësuar që kur Biden mori detyrën, me presidentin amerikan që kërcënoi në katër raste të ndryshme se do ndërhynte ushtarakisht nëse Kina përpiqet të vendosë Tajvanin  nën kontrollin e saj me forcë.

Biden dhe Xi do diskutojnë gjithashtu konfliktin në Ukrainë dhe testimin e shtuar të raketave të Koresë së Veriut, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar amerikan.