Vendosni fjalën kyçe....

Regjisori fitues i Oskarit humbet gjyqin për përdhunim, detyrohet të paguajë 7.5 milionë dollarë


Juria në një gjykatë civile në Nju Jork urdhëroi të enjten skenaristin dhe regjisorin kanadez fitues të çmimit Oskari, Paul Haggis, të paguajë të paktën 7.5 milionë dollarë dëmshpërblim ndaj një gruaje që e akuzoi atë për përdhunimin e saj në vitin 2013.

Publicistja Haleigh Breest, 36 vjeç, pretendon se incidenti ndodhi pasi ajo u takua me Haggis ndërsa punonte në premierat e filmave.

Sipas Breest, Haggis, 69 vjeç, i ofroi asaj ta shoqëronte në shtëpi pas një feste dhe e ftoi për një pije në apartamentin e tij. Ajo thotë se Haggis më pas filloi ta ngacmonte seksualish, e detyroi atë të kryente seks oral dhe në fund e përdhunoi. Ajo e paditi Haggis në vitin 2017.

Regjisori pretendon se puthjet dhe seksi oral ishin konsensuale, por tha se nuk mund të mbante mend nëse kishin pasur marrëdhënie, sipas The Guardian.

Juria mbajti anën e Breestit pas një dite diskutimesh. Katër gra të tjera dëshmuan se kishin  patur ngacemime të padëshiruara nga Haggis, me njërën që pretendonte se ai e përdhunoi atë. Megjithatë asnjë nga katër gratë nuk ka ndërmarrë veprime ligjore kundër regjisorit.

Disa gra, duke përfshirë edhe ish-bashkëshorten e Haggis, dëshmuan në mbrojtje të tij.

Breest tha se ishte ‘shumë mirënjohëse’ për vendimin, duke falënderuar jurinë që zgjodhi ‘të ndiqte faktet’ dhe që e besuan atë.

Haggis, ndërkohë, tha se ishte ‘shumë i zhgënjyer nga vendimi’. Ai shtoi: “Unë do të vazhdoj, me ekipin tim ligjor, të luftoj për të pastruar emrin tim.”

Haggis shkroi skenarin për filmin e Clint Eastwood ‘Million Dollar Baby’, e cila fitoi katër Oscar në vitin 2004, duke përfshirë për filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë për Eastwood.

Haggis gjithashtu shkroi dhe drejtoi filmin kriminal ‘Crash;, i cili fitoi Oscar për filmin më të mirë dhe skenarin më të mirë origjinal në vitin 2005.