Vendosni fjalën kyçe....

‘Lufta’ e çipave, Gjermania bllokon hyrjen e kompanive kineze – Media


Gjermania është në mision për të mbrojtur industrinë e saj vendase të çipave nga blerjet nga firmat kineze, sipas raporteve të mediave.

Ministria e Ekonomisë e vendit bllokoi zyrtarisht një degë suedeze të Sai Microelectronics të Kinës, nga blerja e prodhuesit të çipave me bazë në Dortmund, Elmos për 85 milionë euro, raportoi Politico të mërkurën.

“Ne kemi ndaluar një investitor kinez të hyjë në sipërmarrje biznesi në Gjermani.” – citon gazeta të ketë thënë ministri i Ekonomisë Robert Habeck.

“Arsyeja për këtë është se siguria në Gjermani duhet të mbrohet dhe zonat kritike të prodhimit kërkojnë mbrojtje të veçantë.” – shpjegoi Habeck.

Një tjetër blerje, e kompanisë bavareze ERS Electronic nga një investitor kinez, u ndalua gjithashtu nga qeveria me kërkesë të Habeck, sipas gazetës Handelsblatt, e cila citoi burimet e saj në qeveri.

Reuters raportoi në fillim të kësaj jave se Ministria e Ekonomisë dhe qeveria po punojnë për një strategji të Kinës që do të ulte varësitë e njëanshme e do mbronte infrastrukturën e rëndësishme.

Duke u përballur me problemet globale të zinxhirit të furnizimit me çipa, BE-ja vendosi të zhvillojë prodhimin e saj vendas. Berlini ofroi 14 miliardë euro mbështetje financiare në maj për të tërhequr prodhuesit dhe gjiganti amerikan i IT-së Intel vendosi në fillim të këtij viti të ndërtojë një fabrikë të re në Gjermani.

Kina është një nga vendet më të mëdha në botë që prodhon gjysmëpërçues dhe sipas disa vlerësimeve, pritet të prodhojë gati 25% të çipave në botë deri në vitin 2030.