Vendosni fjalën kyçe....

Deputetja që firmosi dy herë të njëjtin dokument i kthehet Bardhit: Nesër PD zgjedh kreun e ri, mos flit në emër të grupit


Oriola Pampuri, deputetja e PD-së që deklaroi se kishte firmosur gabimisht dy herë të njëjtin dokument të kryesisë për t’i hequr të drejtën e vulës Sekretarit të Përgjithshëm Bardhi, tha sot se zgjedhjet e nesërme për kreun e partisë janë legjitime.

Në një shënim në Facebook, në cilësinë e zëdhënëses së grupit parlamentar të PD-së Pampuri tha se hapat e ndërmarra nga grupi i Gazment Bardhit janë antistatutorë.

Ajo vë në dukje se nesër do mbahen zgjedhjet për kreun e ri të partisë.

Pampuri shkruan gjithashtu se PD u përket demokratëve, ndërsa deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet e nuk mund të kthehen në tabelë qitjeje.

“Si Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të theksoj se; Deklarata në emër të grupit parlamentar, pa dijeninë anëtarëve të grupit nuk gëzojnë vërtetësi. Nxitimin për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd, dhe nuk e legjitimon asnjë vendim. Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt. Nesër, Partia Demokratike ka zgjedhje dhe ky është një vendim i miratuar nga kryesia dhe këshilli kombëtar, mendimet dhe qëndrimet kundër mbajnë emër dhe mbiemër të çdo deputeti, por mllefet kolektive, nuk mund t’i atribuohen grupit parlamentar. Partia Demokratike është e demokratëve, deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet, dhe në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e frustrimet e brendshme të askujt, apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt.” – shkruan Pampuri.