Vendosni fjalën kyçe....

Fillon në Nju Jork gjyqi kundër biznesit të Trumpit për mashtrim me taksat


Një gjyq penal ka nisur në Nju Jork kundër Organizatës Trump, e cila akuzohet se ka paguar përfitime të pataksuara për drejtuesit e saj për 15 vjet.

Biznesi i pasurive të paluajtshme është i drejtuar nga familja e ish-presidentit Donald Trump, por as ai dhe as anëtarët e familjes së tij nuk janë në gjyq.

Një ish-ekzekutiv, i cili ka punuar për Trumpin për dekada dhe u deklarua fajtor në gusht, pritet të dëshmojë.

Sipas BBC-së, ky është një nga tre rastet ligjore me të cilat përballen Trump dhe kompania e tij në Nju Jork.

Prokurorët e qytetit të Nju Jorkut akuzojnë kompaninë se ka përdorur një skemë për të paguar drejtuesit e saj duke u ofruar atyre përfitime të pataksuara.

Kompania akuzohet për komplot, mashtrim tatimor kriminal dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit. Nëse dënohet, kompania mund të përballet me gjoba që arrijnë në më shumë se 1 milion dollarë dhe mund të përballet me vështirësi në sigurimin e kredive dhe financimit.

Allen Weisselberg, i cili ka qenë shef financiar për një kohë të gjatë për Organizatën Trump, u deklarua fajtor për krime financiare në gusht si pjesë e çështjes dhe po bashkëpunon me prokurorët në këmbim të një dënimi më të butë.

Ai pritet të dëshmojë javën e ardhshme në sallën e gjyqit në Manhatan dhe do të përballet me dënimin pasi të flasë. Ai mund të dënohet me 5 deri në 15 vjet nëse refuzon të bashkëpunojë në gjyq.

Në një marrëveshje për pranimin e fajësisë, 75-vjeçari pranoi përfshirjen e tij në skemë dhe përfitimin e shkollimit privat për nipërit e tij, makinë BMW dhe një shtëpi në Manhattan në këmbim të punës së tij.

Përzgjedhja e jurisë përfundoi të premten pasi u zgjodhën katër gra dhe tetë burra, si dhe gjashtë alternativa në rast se një juri shkarkohet për çfarëdo arsye. Avokatët mbrojtës për Organizatën Trump thonë se ka qenë e vështirë për të gjetur juristë neutralë dhe u kanë bërë thirrje avokatëve që të “mbajnë politikën larg” sallës së gjyqit. Trump e ka kritikuar çështjen e cila ka marrë tre vjet për t’u sjellë në gjyq duke e konsideruar si një “gjueti shtrigash“.

Ai nuk pritet të dëshmojë apo të marrë pjesë në gjyq, por gjykatësi që mbikëqyr çështjen javën e kaluar paralajmëroi se zoti Trump dhe tre fëmijët e tij më të mëdhenj mund të thirren për të dëshmuar.