Vendosni fjalën kyçe....

Pfizer nën hetim në Itali, dyshohet se ka fshehur 1.2 miliardë dollarë fitime


Gjiganti farmaceutik Pfizer është objektivi i një hetimi italian që pretendon se kompania ka fshehur të paktën 1.2 miliardë euro fitime duke transferuar para në njësi në vende të tjera, sipas personave që kanë njohuri për hetimin.

Policia Financiare e Italisë ka pretenduar se njësia e Pfizer me qendër jashtë Romës, Pfizer Italia Srl, transferoi kapitalin e tepërt te filialet në SHBA dhe Holandë për të shmangur taksat mbi fitimet që mund të ishin deri në 26%, sipas burimeve, të cilët kërkuan të mos të identifikohen pasi informacioni nuk është publik, raporton Bloomberg.

Dega italiane e kompanisë dyshohet se ua dërgoi kapitalin filialeve të huaja të lidhura me Pfizer Production LLC me bazë në Delaëare dhe Pfizer Manufacturing LLC, thanë ata. Hetimi i gjigantit farmaceutik me bazë në Nju Jork filloi në shkurt dhe mbulon vitet 2017, 2018 dhe 2019, thanë ata.

Pas përfundimit të hetimit, rezultatet do rishikohen nga agjencia tatimore e Italisë, e cila ka fuqinë për të vlerësuar gjobat dhe pagesat e mundshme të taksave nëse i konsideron të justifikuara.

“Autoritetet tatimore italiane kontrollojnë dhe hetojnë rregullisht taksat e Pfizer dhe Pfizer bashkëpunon me kontrolle dhe hetime të tilla.” – tha zëdhënësja e kompanisë Pam Eisele në një përgjigje me email ndaj pyetjeve të medias.

“Pfizer është në përputhje me ligjet tatimore dhe kërkesat e Italisë.”

Kryeministrja e ardhshme Giorgia Meloni tha në parlament të mërkurën se nën administrimin e saj, autoritetet tatimore do përqendrohen më shumë në kompanitë e mëdha dhe shumëkombëshe sesa tek firmat e vogla vendase.

Policia Financiare pretendoi se Pfizer vendosi të mos shpërndante dividentë gjatë periudhës së hetimit, duke i shpërblyer aksionarët përmes uljes së kapitalit aksionar të kompanisë, sipas burimeve. Në tre vitet që përfshin 2017 deri në 2019, Pfizer globalisht prodhoi një total prej 33 miliardë dollarësh të ardhura neto të rregulluara.

Një zëdhënës i Policisë Financiare të Italisë me bazë në Romë nuk pranoi të komentojë për median.

Akuzat kanë disa ngjashmëri me një rast që përfshin kompaninë franceze të luksit Kering SA, pronare e markës Guçi, që keu një shlyerje prej 1.25 miliardë eurosh, një nga pagesat më të mëdha të tilla ndonjëherë nga një kompani në Itali.

Ai hetim shqyrtoi me kujdes aktivitetet në degën zvicerane Luxury Goods International nga 2011 deri në 2017 dhe u përqendrua në shumat e faturuara nga Kering për biznesin e kryer në vende të tjera në një qendër logjistike zvicerane, ku paguante taksa më të ulëta se sa do kishte paguar në Itali.

Njësia italiane e Pfizer filloi të funksionojë pothuajse 70 vjet më parë dhe punëson rreth 2000 njerëz. Kompania ka një fabrikë në rajonin qendror Marche, ku prodhon pilula për kancerin dhe çrregullimet e sistemit nervor dhe një në Siçili që prodhon ilaçe sterile të injektueshme si antibiotikët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani