Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta bashkëthemeluesi i pijes legjendare energjetike


Miliarderi austriak Dietrich Mateschitz, i cili bashkëthemeloi ‘Red Bull’, pijen energjike më të njohur dhe më të shitur në botë, ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare të shtunën. Sipas Reuters, ai ishte me kancer prej kohësh.

Mateschitz lindi në qytetin Sankt Marein im Murztal në vitin 1944. Gjatë një udhëtimi në Azinë Juglindore, ai zbuloi se pija lokale me kafeinë ‘Krating Daeng’, e zhvilluar nga biznesmeni tajlandez Chaleo Yoovidhya, ia lehtësoi qëndrimin në aeroport teksa priste avionin që ishte me vonesë. Mateschitz më pas bashkëthemeloi ‘Red Bull’ në 1984 në partneritet me Yoovidhya dhe e hodhi në treg markën globale në vitin 1987.

Që nga fillimi, Mateschitz e reklamoi pijen përmes shoqatave me sportet ekstreme, si surfi, sportet dimërore, sportet motorike dhe çiklizmi malor.

Kompania sponsorizoi shumë gara e atletë. Ajo zotëron dy ekipe garash në Formula 1, ‘Oracle Red Bull Racing’ e ‘AlphaTauri’, i njohur më parë si ‘Toro Rosso’.

Drejtuesi i Formula 1, Stefano Domenicali, tha se ishte ‘thellësisht i pikëlluar’ nga lajmi për vdekjen e Mateschitz.

“Ai ishte një sipërmarrës i jashtëzakonshëm, vizionar dhe një njeri që ndihmoi në shndërrimin e sportit tonë dhe krijoi markën Red Bull që njihet në gjithë botën.” – tha ai.

Kancelari austriak Karl Nehammer e përshkroi Mateschitz si ‘një novator i madh’ i cili ishte ‘jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj çështjeve sociale gjatë gjithë jetës së tij’. Presidenti i vendit, Alexander Van der Bellen, tha se biznesmeni ‘kishte formësuar peizazhin e korporatave e sportit të Austrisë si pak të tjerë’, duke shtuar se jeta e tij shërbeu si frymëzim për shumë njerëz.

Në vitin 2012, kompania ekzekutoi projektin ‘Red Bull Stratos’, gjatë të cilit parashutisti austriak Felix Baumgartner u ngrit 39 kilometra mbi Tokë në një kapsulë të lidhur me një tullumbace heliumi dhe theu barrierën e zërit duke rënë dhe duke u hedhur me parashutë në shkretëtirën e New Mexico.