Vendosni fjalën kyçe....

Rama kritika dhe paralajmërime SPAK-ut: Po hyni në kohën shtesë, e keqja kualifikohet, ju skualifikoheni


Kryeministri Edi Rama ka bërë kritika të ashpra ndaj SPAK-ut për hetimin ndaj Ardian Dvoranit të denoncuar nga Presidenti Ilir Meta.

Rama thotë se SPAK kishte nisur hetimet në mënyrë të rrufeshme për denoncimin e Metës, ndërsa shton se po të ishte punuar me po aq vrul kushedi sa gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë kashtë nga vettingu për pasuri marramendëse do të ishin sot në burg.

“SPAK në mënyrë të rrufeshme a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë që për pak ditë më në fund do të largohet nga zyra e presidentit. Çështje në hetim, gjë të cilën, pastaj procesi gjyqësor e çmontoi dhe e shfry si një flluskë sapuni.

Por nëse ky sahat zviceran do të ishte i pakonkurrueshëm, sa gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë kashtë nga vettingu për pasuri marramendëse do të ishin sot më burg. Sepse u bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë sot? Ata janë në punë e tyre. Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që do të ulet në tryezë gjëja e parë është se sa gjykatës dhe prokurorë janë marrë në hetim. Zero.

Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të DASH është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut. Unë e kam udhëhequr ketë proces, pa bërë asnjëherë asnjë diskutim të asnjë neni. Juristët tanë kanë pasur rezerva, unë nuk mendova që mjafton të behet kjo dhe gjithçka do të ishte mirë. Jam gjithmonë edhe më i paduruar përballë faktit që ata që e nxin totalisht Shqipërinë, e bën një vend ku pandëshkueshmërisë janë të paprekur.

Me një lehtësi të hatashme SPAK shkon dhe bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin. Ai sot e gjithë jetën jeton në një apartament të para viteve 90. Ndërkohë që ata që i ka vilat e rreshtuara, këta janë të gjithë duke pritur finalet e Champions Leagues.”– tha kryeministri.

Kritika SPAK-ut dhe për Berishën

Më pas Rama kujtoi çështjen e ish-kryeministrit Sali Berisha të sanksionuar nga DASH dhe kritikoi SPAK-un duke thënë që ky institucion të mbajë turpin që një ‘Non Grata’ po që i bën karshillik një bote.

 “Për të mos folur për këtë non gratën e madhe që e kemi në mes të sheshit bashkë me shpurën e tij që na thotë pse nuk ulemi të negociojmë për presidentin.

Këtu është siç thoshte një plakë rome që e doja shumë kur isha i vogël, të kesh dy, një ta mbash e një ta çash, se një nuk mjafton. Çështja e non-gratës së madhe nuk është një çështje e Amerikës, është e Shqipërisë, nuk është një hall i DASH, është një hall i popullit shqiptar dhe sfida në fakt, në thelb, nuk është një sfidë që non-grata e madhe me ata të verbrit që ndjekin pas ia bëjnë Amerikës. Është një sfidë që ia bëjnë drejtësisë, sensit të së drejtës në këtë vend dhe sado të mundohemi ne, sado hetime denoncime, gjykime, dënime të jepen në këtë vend për këdo qoftë, nëse në këtë vend non-grata e madhe, ai i dyti atje që është i pari në fakt me të cilin SPAK-u funksionon si sahat zviceran për të kap Ardian Dvoranin, gjykatësit dhe prokurorët që e bënë baltë e gjak të pafajshëm sistemin e drejtësisë në 30 vjet, ky nuk është problem i SHBA-ve miqtë e mi. Është një problem i madh i Shqipërisë së të nesërmes. Sapo të ulem në tryezën e negociatave, kjo do të jetë kënga e re që do të fillojë.

Është tallje e madhe që SPAK-u deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe vetëm për një lloj peshku dhe pa e pasur problem fare të gjuajë cironka me dinamit. Po nuk ka as parangall as vullnet që të gjuajë me dinamit peshkaqenët që i bëjnë leksione Amerikës dhe Europës dhe zgjohen e ngrysen duke nxjerrë llum nga goja.

Durimi ynë po soset, i imi po e po, por edhe i juaji, SPAK dhe ata që janë të interesuar që të bëjnë drejtësi në këtë vend, duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi vënë në vend dhe fakti që nuk kemi folur, por i kemi mbështetur për çdo veprim, dhe kur u bë veprimi i turpshëm i arkës së peshkut, shtrënguam dhëmbët, thirrja ime, që nuk është një thirrje partiake, por e asaj që ka udhëhequr reformën në drejtësi,: zonja dhe zotërinj të SPAK zgjohuni dhe dilini në mbrojtje Shqipërisë se Shqipëria është e turpëruar para një ‘Non Grata’ që i bën karshillik një bote.

Këtë turp ta mbaj SPAK, në deklaratën e DASH e ka të qartë të bëjnë detyrën e tyre në atë përfundim dhe kjo nuk është për Amerikën, revolta ime dhe e jona nuk është se po na ofendohet Amerika apo se po fyhet Amerika, jo fare, është se po delegjitimohet SPAK dhe sistemi i drejtësisë që kanë ngatërruar detyrat e drejtësisë penale me përgjegjësi administrative, që kanë ngatërruar nevojën për drejtësi me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njerëzve.”-deklaroi Rama.

Paralajmërimi për SPAK-un

Madje Rama bëri një paralajmërim të fortë SPAK-ut duke folur me gjuhën e futbollit.

Ai u shpreh se SPAK tashmë ka hyrë në kohën shtesë dhe deri tani e keqja është kualifikuar, ndërsa ky institucion është i skualifikuar.

“Realisht po hyni në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend. Deri tani e keqja kualifikohet dhe ju s’kualifikoheni. Kualifikimi i të keqes nuk është çështja se dikush apo disa do tia hedhin pa u lagur. Kualifikimi i të keqes është që e keqja do ta vërë përfund përsëri këtë vend siç e kishte vënë përfund para se të krijoheshit ju SPAK apo përpara se të krijohej gjykata e Krimeve për të Korrupsionin apo përpara se të krijoheshin institucionet e reja të drejtësisë.”– u shpreh Rama.

Rama për zgjedhjen e presidentit të ri

Rama foli dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai theksoi se në rast se nga opozita do të vijë një emër i cili është i pranueshëm, maxhoranca do ta aprovojë.

Por nga ana tjetër bëri të qartë se këtu nuk përfshihej opozita e drejtuar nga Sali Berisha.

 “Nëse ata do të sjellin një propozim bindës do ta pranojmë menjëherë, por nuk mund të jetë figurë politike që vjen nga rrugët e qametit.

Duhet të zgjedhim paralelisht Avokatin e Popullit. I takon atyre të na propozojnë emra.
Opozita nënkupton përjashtim kategorik non gratën dhe shpurën e tij. PS nuk njeh asnjë akt, propozim e asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim, me të cilin politika e PS dhe Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë lidhje.
Të hidhen përpjetë, ne nuk njohim asgjë që buron nga ai burim i së keqes së madhe të popullit tonë. Jo për presidentin po as për rojen e cilësdo godinë në këtë vend dhe as një hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës. Me shumë keqardhje për të gjithë ata që verbërisht i shkojnë pas asaj shpure dhe i kthejnë kurrizin të ardhmes dhe fëmijëve të tyre, ka kohë që historia është parashkruar në raport me atë të keqe që e shporrëm dhe nuk ka shans të kthehet më.”– janë fjalët e Ramës.