Vendosni fjalën kyçe....

AUTORITETET NË ALARM – Një anije me gaz rus dyshohet se është futur fshehurazi në Porto Romano


Autoritetet shqiptare janë sinjalizuar nga shërbimet partnere mbi një sasi të dyshuar prej 3 mijë e 500 metër kub gaz me origjinë nga Rusia, i cili dyshohet se është futur në Porto Romano duke thyer embargon nëpërmjet një dokumentacioni të falsifikuar.

Kompania që ka bërë porosinë e sasisë së gazit është me seli në Zvicër, por paraprakisht mësohet se kjo kompani është e lidhur me pronarin e Porto Romanos, afaristin Pirro Bare, ky i fundit i bën shpesh porositë nëpërmjet kompanive të tij në Zvicër për shkak të lehtësive fiskale.

Por duket se ngarkesa e fundit ka rënë në radarin e disa shërbimeve të huaja dhe shkak për këtë është bërë dokumenti i origjinës së produktit.

Hashtag.al ka siguruar dokumentin e origjinës së produktit që ka paraqitur kompania blerëse nga Zvicra, dokument i cili ka ngritur dyshime të forta për falsifikim dhe kamuflim të sasisë së ardhur “de facto” nga Rusia.

Një burim i rezervuar i përfshirë në hetimin paraprak shpjegoi për Hashtag.al rrethanat e dyshimta të futjes së kësaj sasie gazi me vlerë 2.2 milionë dollarë.

“Anija që ka mbërritur në Porto Romano është “Eco Nical” e cila ka ngarkuar në det të hapur në Spanjë. Anija mëmë  “MT Monte Rosa Explorer” nga e cila është ngarkuar “Eco Nical” për në Porto Romano ka qenë e ngarkuar me origjinë produkti të dyshuar ruse.
Fjalia e fundit në certifikatën e origjinës tregon qartë që agjentët vërtetojnë vetëm ngarkesën fizike dhe jo origjinën. I shmangen përgjegjsisë”,
– sqaron burimi për Hashtag.al.

Në certifikatën e origjinës që është prezantuar në Porto Romano shkruhet se origjina e produktit është nga Estonia, por ky element e ka bërë dhe më të dyshimtë ngarkesën, pasi koordinata Paldiski në Estoni (vendi i deklaruar i origjinës) nuk është prodhues LPG dhe nuk ka se si anija mëmë të ketë origjinë nga Estonia.

“Certifikata e origjinës nuk është as e vulosur nga dogana në Spanjë dhe as nga kapiteni. Si dhe asnjë nga dokumetet e tjera që shoqërojnë mallin nuk janë të vulosura nga kapiteni. Kjo tregon që kapiteni njeh dokumenta të tjera si origjinale dhe jo këto që janë dorëzuar në doganën shqiptare”, – saktësoi një burim i rezervuar i përfshirë në hetimin paraprak./ Hashtag.al