Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Metës për padinë ndaj Autoritetit të Dosjeve: Autoriteti nuk jep dokumentacionin dhe Kuvendi e fsheh, Prokuroria s’po bën detyrën


Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dhe avokati Genc Gjokutaj kanë zhvilluar një konferencë për mediat ku kanë folur lidhur me padinë e Ilir Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve.

Gjatë fjalës së tij, avokati u shpreh se kanë marrë përgjigje cinike dhe refuzuese nga Autoriteti.

“Dje kemi marrë një përgjigje që është jo vetëm refuzim, por edhe cinike, nga ana e Autoritetit. Kuvendi po ashtu na ka dërguar një përgjigje, ku na dërgon një shkresë të 2017, që Genta Sula në pozicionin e drejtoreshës ja çon Kuvendit dhe i thotë që zoti Ilir Metaj nuk ka pengesë për t’u zgjedhur në Institucion në Presidencë. Prokuroria nuk bën detyrën, Autoriteti nuk jep dokumentacionin dhe Kuvendi e fsheh. Tani me çfarë procesi të rregullt ligjor bëhet fjalë këtu dhe çfarë  synojnë këta me këtë mënyrë të vepruari!? Sigurisht çdo segment i këtyre shkeljeve do të goditet në Gjykatën kompetente përkatëse me qëllim zbardhjen dhe vënien e këtij procesi në binarë ligjorë.”- tha ai.

Deputeti Petrit Vasili nga ana tjetër tha se avokatit nuk i është dhënë as informacioni që u është dhënë mediave. Sipas tij, Prokuroria është bërë pjesë e grupit të “shantazhimit”, duke marrë vendimin për të mos nisur hetimet.

 “Avokatit nuk iu është dhënë informacioni. Ndërkohë që ai ka të drejtë ligjore të njihet me të gjitha hapat, kur ka ardhur informacioni, kur ka hyrë, çfarë është diskutuar në Konferencën e kryetarëve, protokolli, me çfarë dokumentesh është punuar se me datën 26 dokumentet nuk ishin deklasifikuar, ishin sekret. Janë shkelje njëra më e tmerrshme se tjetra. Por bllokimi i informacionit, veprimi i këtij grupi me regji është provë asgjësuese e një faji i cili nuk mund të fshihet, manipulohet dhe s’mund t’i shpëtojë hetimit, pavarësisht nga qëndrimi si pjesë e grupit për fat të keq i Prokurorisë që ka vendosur të mos fillojë hetimet. Kjo rëndon Prokurorinë, por as nuk e fsheh dhe as nuk e mohon dot të vërtetën e shkeljeve shumë të rënda ligjore që konsumuan të gjithë me radhë nga Autoriteti deri tek Kuvendi, i cili është bërë pjesë totale e këtij grupi që vepron për qëllim politike, shantazhi për të goditur jo vetëm Ilir Metën, dështoi pa filluar, por për të goditur pluralizmin.

Të shkuarit deri në fund të kësaj çështje në të gjitha nivelet e gjykimit në Shqipëri dhe po e lypi puna deri në Gjykatën Ndërkombëtare, është mision jo vetëm në emër të qytetarëve por në emër të shtetit të së drejtës dhe funksionimit të ligjit në këtë vend.”– tha Vasili.