Vendosni fjalën kyçe....

Djali i presidentit të Barcelonës u arrestua pak para “El Clasicos”, i bënë qetësues që ta merrnin në Polici


Kjo ka qenë një pasdite për t’u mbajtur mend për Joan Laporta. Jo vetëm që Barcelona ka humbur “El Clasico”-n në Bernabeu, por gjithashtu një nga djemtë e tij është arrestuar në kryeqytetin spanjoll për dhunë ndaj partneres së tij.

Sipas El Español, Guillem Joan Laporta, djali i mesit i presidentit të Barcelonës është arrestuar në orën 14:30 të kësaj të diele, pak para se të luhej ndeshja me Realin e Madridit.

Incidenti kishte ndodhur në një restorant në rrugën Miguel Ángel, pranë stadiumit Santiago Bernabeu. Ai thuhet se ka keqtrajtuar partneren. Përveç kësaj, ai ka mbajtur një sjellje agresive dhe ka pasur një ton kërcënues edhe me agjentët që kanë mbërritur në vendngjarje.

Në një nga tavolinat ku ka ndodhur incidenti, thuhet se kanë qenë duke ngrënë truprojat e një ministri të qeverisë, të cilët kanë ndërhyrë të parët në mosmarrëveshje, duke ndaluar djalin e presidentit te klubit sportiv. Ishin ata që lajmëruan policinë.

Laporta ishte shfaqur shumë agresiv dhe i kishte rezistuar arrestimit. Kjo kishte detyruar policinë që të kërkonin ndihmën e mjekëve të një autoambulance, që t’i jepnin qetësues në mënyrë që ta shoqëronin në komisariat.

 Laporta thuhet se nuk ndodhet më në paraburgim nga policia dhe pritet të dalë para gjykatës.