Vendosni fjalën kyçe....

SpaceX i kërkon Pentagonit të paguajë faturën e Ukrainës – Media


Firma e hapësirës ajrore e Elon Musk ka kërkuar nga ushtria amerikane të paguajë për shërbimin e saj të internetit satelitor Starlink në Ukrainë, duke thënë se nuk është më në gjendje të paguajë koston e operacioneve, sipas dokumenteve të kompanisë të marra nga CNN.

Në një letër dërguar Pentagonit muajin e kaluar, SpaceX përvijoi vështirësitë e saj financiare dhe i kërkoi qeverisë të fillonte financimin e shërbimeve Starlink për Ukrainën, duke pretenduar se do kushtojë më shumë se 120 milionë dollarë për pjesën tjetër të vitit 2022 dhe rreth 400 milionë dollarë gjatë 12 muajve të ardhshëm.

“Ne nuk jemi në gjendje të dhurojmë më tej terminale në Ukrainë, ose të financojmë terminalet ekzistuese për një periudhë të pacaktuar kohore.” – tha në letër drejtori i shitjeve të qeverisë SpaceX.

SpaceX i ka dhuruar Ukrainës rreth 20,000 njësi satelitore Starlink që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, duke ofruar lidhje interneti dhe bashkërendim ushtarak në fushëm e betejës. Zyrtarët ukrainas e kanë vlerësuar sistemin si ‘pjesë thelbësore të infrastrukturës tejet të rëndësishme ushtarake’.

Megjithatë, Kievi i ka kërkuar kompanisë të dërgojë mijëra terminale shtesë Starlink, me një letër tjetër të marrë nga CNN që tregon se një Gjeneral i lartë ukrainas, Valery Zaluzhny, kërkoi drejtpërdrejt 8,000 njësi në korrik.

Një këshilltar i jashtëm për SpaceX më vonë shkroi se firma ‘përballet me vendime tmerrësisht të vështira’, duke shtuar ‘unë nuk mendoj se ata kanë aftësinë financiare për të ofruar ndonjë terminal apo shërbim shtesë siç kërkohet nga gjenerali Zaluzhny’.

Musk ka deklaruar se SpaceX do ketë shpenzuar më shumë se 100 milionë dollarë duke ofruar shërbime Starlink në Ukrainë deri në fund të vitit. Sidoqoftë, letra e kompanisë drejtuar Pentagonit tregon se ‘shumica dërrmuese’ e 20,000 njësive të vendosura në Kiev kanë marrë ‘ financim të plotë ose të pjesshëm’ nga qeveritë amerikane, britanike dhe polake.

Kontribute të tjera vijnë nga OJQ-të dhe grumbulluesit privatë të fondeve, megjithëse SpaceX ka mbuluar shumicën e kostove të shërbimit prej rreth 4,500 dollarë për terminal çdo muaj.

Kohët e fundit, SpaceX është vënë nën kritika për ndërprerjet e supozuara të Starlink në disa rajone të Ukrainës, me Financial Times që transmetoi raporte nga ushtarët ukrainas për një humbje ‘katastrofike’ të komunikimit javën e kaluar.

Shkaku i ndërprerjeve mbetet i paqartë, megjithëse zyrtarët ukrainas këmbëngulin se problemet nuk ishin rezultat i një defekti teknik ose sulmesh kibernetike, në vend të kësaj sugjerojnë se kjo ka ndodhur nga ‘kufizime gjeografike të vendosura nga SpaceX’. Megjithatë, shërbimi ka rifilluar që atëherë në zonat e prekura.