Vendosni fjalën kyçe....

Endrit Braimllari: I braktisur nga qytetarët, Veliaj ka nisur asfaltimet elektorale



Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn se ka nisur “asfaltimet elektorale” ndërsa afrojnë zgjedhjet lokale tek të cilat do të rikandidojë.

Sipas tij, Veliaj i ka braktisur qytetarët për 8 vite dhe se vetëm në fund të mandatit të dytë të tij është kujtuar për qytetarët.

“Veliaj i kullave dhe i betonit braktiset nga qytetarët, nis asfaltimet elektorale.

Pasi në gati 8 vite në krye të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku dështak i shërbeu interesave të tija personale dhe atyre të oligarkëve, tashmë në fund të mandatit të tij është kujtuar për qytetarët.

Bashkia e drejtuar prej tij njoftoi hapjen e një procedure tenderimi me vlerë 1 miliardë lekë (pa TVSH) apo rreth 8.5 milionë euro për të ndërhyrë në rrugët që ndodhen në 11 njësitë administrative të kryeqytetit dhe në lagjet 12,13 dhe 14, të cilat prej vitesh nuk kanë parë asnjë investim.

Në fakt edhe kësaj here Veliaj nuk ka si synim përmirësimin e kushteve të jetësës së qytetarëve, por interesin e tij elektoral.”– tha Braimllari.

Por sipas tij, asfalti elektoral nuk do ta ndihmojë Veliajn të fitojë këto zgjedhje.

“I gjendur gjithmonë e më i braktisur nga qytetarët e Tiranës, ashtu siç ka bërë në çdo palë zgjedhje, Veliaj ka vendosur që edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore t’i varë shpresat te mashtrimi i qytetarëve nëpërmjet asfaltit elektoral.

Por më kotë, pasi qytetarët e Tiranës e kanë të qartë se qendrimi Veliajt në krye të bashkisë do të thotë më shumë kulla e beton dhe më pak lulishte e gjelbërim.

Ndaj as asfalti elektoral nuk do ta ndihmojë, pasi qytetarët do ta ndëshkojnë me votë.

Ora e ndëshkimit po afron.”- shkruan Braimllari.