Vendosni fjalën kyçe....

KED lejon kandidimin e Ardian Dvoranit dhe Gent Ibrahimit për në Kushtetuese


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka vendosur të lejojë Ardian Dvoranin dhe Gent Ibrahimajn të kandidojnë për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht Dvorani mban postin e gjyqtarit në gjykatën e apelit administrativ, ndërkohë që më parë ka qenë edhe anëtar i Gjykatës së Lartë. Ai drejtonte Këshillin e Emërimeve në Drejtësi kur ndodhi përplasja me ish-predidentin Ilir Meta për çështjen e listës për në Gjykatën Kushtetuese. Pavarësisht se Dvorani u kallëzua nga Meta, SPAK pushoi akuzën për mungë provash dhe ai mori edhe çmimin si njeriu i vitit 2021 në luftën ndaj korrupsionit nga departamenti i shtetit për Shqipërinë.

VENDIMI I KED:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, përfaqësuesit të Avokatit të Popullit si edhe përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e premte datë 14 tetor 2022, mbledhjen e tij të radhës, sipas rendit të ditës së njoftuar në datë 10 tetor 2022.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, referuar rendit të ditëspasi u njoh me materialin e përgatitur nga relatori për kandidatin z. Ardian Dvorani, për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese z. Altin Binaj, të shpallur nga Kuvendi i Republikës, vendosi lejimin e kandidimit të këtij kandidati.

Ndërsa lidhur me pikën e dytë të rendit, që kishte të bënte me diskutimin e aktit të ekspertimit për komponentin pasuror, të kryer për kandidatin z. Gent Ibrahimi, i cili kandidon për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese z. Përparim Kalo, të shpallur nga Presidenti i Republikës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, mbasi administroi aktin e ekspertimit dhe procedoi me pyetjen e ekspertit të thirrur për dhënien e sqarimeve për përmbajtjen e tij, në përfundim vendosi lejimin e kandidimit të këtij kandidati.