Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi: Durrësi i përmbytur nga plehrat, Bashkia ende paguan 300 mijë euro Klodian Zoton e inceneratorëve në arrati


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ngre shqetësimin se ndërsa pronari i inceneratorëve Klodian Zoto gjendet në arrati, kompania e tij vijon të paguhet nga Bashkia e Durrësit.

Blushi ka publikuar një video-kronikë me pamje të mbetjeve nga Durrësi dhe thotë se qyteti bregdetar është përmbytur nga plehrat.

 “Krimi vazhdon: Bashkia e Durrësit paguan 300 mijë euro Klodian Zoton e inceneratorëve në arrati!

Ekonomia dhe familjet shqiptare janë në krizë të thellë, por pagesat për inceneratorët fiktivë, nën hetim dhe sekuestro vazhdojnë. Në 4 tetor 2022 Bashkia e Durrësit ka kaluar në llogarinë e Klodian Zotos 300 mijë euro edhe pse situata në terren, siç Partia e Lirisë e ka denoncuar, tregon se qyteti është i përmbytur nga plehrat.

Pagesat për inceneratorët nuk ndalen ndonëse pedogagët dhe profesorët prej javësh janë në protestë për një pagë dinjitoze dhe kushte më të mira pune.

Sot shqiptarët e kuptojnë edhe më qartë se përballë nuk kemi një Qeveri por një organizatë kriminale, ku drejtues është Edi Rama dhe ku pjesëtarë janë Ministra, Kryetarë Bashkie, Sekretarë të Përgjithshëm dhe drejtorë, që vazhdojnë të mbushin xhepat me vjedhjen më të madhe që pluralizmi ka parë deri tani.”- shkruan Blushi.