Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa për Akademinë e Shkencave: Është kthyer në skutë politike, ceremonia sot si plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës


Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka dalë në një deklaratë për mediet, ku është shprehur ceremonia e zhvilluar në Akademinë e Shkencave nuk ishte gjë tjetër veçse një “plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur”.

Sipas deputetes demokrate, Akademia është kthyer në një “skutë politike” dhe është bërë pjesë e shtetit që ka në dorë të gjitha pushtetet. Ajo ka sulmuar kreun e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushin, duke thënë se është një drejtues i vendosur në mënyrë të paligjshme që nuk është dekretuar nga presidenti i republikës.

“Ceremonia që ndoqët sot duhet të ishte një ditë feste për shkencën dhe mendimin shqiptar. Siç e prisnim dhe siç e patë, nuk rezultoi më shumë se një plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur, një takim i udhëheqësit me shokët e një Akademie pa shkencë dhe të pashoqe në botë. 

Për faktin e thjeshtë dhe fatin e keq, se Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike, pjesë e një shteti që i ka të gjitha pushtetet.

Një Akademi shkencash serioze do të kishte folur ndërkohë për udhëkryqet ku gjendet Shqipëria:

Për dramën e shpopullimit;

Për Ballkanin e Hapur që, nën maskën e lirisë, kthen ditët e Jugosllavisë;

Për rrënimin e trashëgimisë kulturore, si në rastin e Butrintit, ku kryetari i Akademisë tha se nuk i kishte pyetur njeri;

Për tekstet shkollore me plot marrëzira, ndër të tjera prindi 1 dhe prindi 2;

Për idenë kombëtare, apo ku po shkon kombi në 100 vjetëshin e dytë të ekzistencës si shtet.

Vepra e vetme në shkencë e Akademisë mbetet pamfleti udhëzues për Covid-19, një doracak i shkarkuar në internet.

Por, të presësh më shumë nga kjo Akademi do të thotë të kesh pritshmëri, së pari nga kreu i saj, dhe së dyti nga ai që e caktoi në drejtim të këtij institucioni. Ju kujtojmë se sot Akademia e Shkencave drejtohet në mënyrë të paligjshme nga Skënder Gjinushi, një kryetar i padekretuar nga Presidenti i Republikës.

Mos dekretimi erdhi për shkak të faktit se Gjinushi ishte në shkelje flagrante të ligjit: mbante postin e kryetarit të një partie politike dhe emërohej në krye të Akademisë së Shkencave.

Ju lujtojmë gjithashtu se Skënder Gjinushi, ka qenë ministri i fundit i Arsimit i diktaturës Hoxha-Alia.

Ju kujtojmë se ‘Ligji për Akademinë e Shkencave’ është antikushtetues, sepse Asambleja e ASH ka marrë kompetenca që i ka vetëm parlamenti, duke miratuar kryetarin pa dekret.

Dekretimi i Kryetarit të ASh është komptencë eksplicite e Presidentit e shprehur në kushtetutë.

Në këto kushte nuk kemi Akademi që përcakton programacionin e kombit dhe të shtetit, por një seksion të pushtetit të Edi Ramës.”– deklaroi deputetja e PD-së.

Zhupa paralajmëron se PD do të ndjekë çështjet në gjykatat kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Edi Rama e ka kthyer një prej institucioneve themeltare të Republikës në një azil pensionistësh politikë, kontributi i fundit në shkencë i të cilëve ka qenë para rrëzimit të komunzimit.

Të bësh shkencë me njerëzit e Pilo Peristerit në kohën e Elon Musk, është një përrallë nga Zululandi.

Partia Demokratike do ndjekë të gjitha hapat e nevojshëm, në gjykatat kombëtare edhe ndërkombëtare, që Akademia të mos jetë pensionim luksi për politikanët e fundit të diktaturës, por institucion i pavarur nga politika, institucion mendimi dhe qëndrimesh publike në të mirë të zhvillimit të shtetit dhe kombit.”– tha Zhupa.