Vendosni fjalën kyçe....

Lukashenko akuzon Ukrainën: Po përgatit një sulm ndaj Bjellorusisë


Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, një aleat i ngushtë i liderit rus Vladimir Putin, thotë se Ukraina po përgatit një sulm në territorin e vendit të tij.

“Unë kam thënë tashmë se sot Ukraina nuk po diskuton vetëm, por po planifikon sulme në territorin e Bjellorusisë.”– citohet të ketë thënë Lukashenko nga agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

“Ne kemi rënë dakord të vendosim një grupim rajonal të Federatës Ruse dhe Republikës së Bjellorusisë.”- shtoi ai në takimin me zyrtarë të sigurisë.

Lukashenko nuk specifikoi se ku do të vendoseshin trupat.

Ai tha se formimi i këtyre trupave filloi dy ditë më parë, duke përkuar me një shpërthim në një urë që lidh Krimenë me Rusinë për të cilën Moska fajësoi Ukrainën.

“Pa e përshkallëzuar situatën, dua që ju të kuptoni: nëse doni paqe, duhet të përgatiteni për luftë. Gjithmonë.”- tha Lukashenko.

Ai tha se Bjellorusia “duhet të ketë plane paraprakisht për t’iu kundërvënë të gjitha llojeve të të poshtërve që po përpiqen të na tërheqin në një luftë”.

“Nuk duhet të ketë luftë në territorin e Bjellorusisë.”- shtoi ai.

Bjellorusia mbështetet financiarisht dhe politikisht në aleatin e saj kryesor Rusinë.

Lukashenko lejoi trupat ruse të hynin në vend me pretekstin e stërvitjeve ushtarake në muajt para se Moska të fillonte operacionin e saj ushtarak në Ukrainë.