Vendosni fjalën kyçe....

Berisha pas takimeve në Jug: Do ngremë grup hetimi për çfarë ka ndodhur në Lazarat, Rama e Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat, pas takimeve me banorët në Jug të Shqipërisë, ku u shpreh se kjo zonë e vendit ndodhej në situatën më dramatike.

Gjatë fjalës së tij ai u ndal te Lazarati, duke premtuar se PD do të ngrejë një grup hetimi për mënyrën sesi policia ka vepruar atje. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kanë kryer krime kundër njerëzimit në Lazarat.

“Unë u ktheva më i impresionuar se kurrë në 30 vite nga një vizitë, nga vizita ime në Lazarat. Çfarë konstatova aty? Në bisedimet e shkurtra, konstatova se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit në këtë fshat. Krime të vërteta me operacionin e tyre anti-drogë. Bandat kriminale me uniformë nuk kanë ngurruar të vendosin tytën e automatikut fëmijës 2-3 vjeçar, nënës që mbronte fëmijët, kryeplakut të fshatit t’i shkrehin breshëritë pse bënte detyrën. Një terrorizëm të tillë Lazarati nuk e ka parë kurrë në jetën e tij. Unë i garantoj banorët se shumë shpejt do organizoj skuadra dhe grupe hetime për të mbledhur dhe evidentuar këto krime. Edi Ramës i them se do marrë ndëshkimin e merituar për këto krime. Ne mbetemi parti e zbatimit të ligjit, por nuk mund të pranojmë kurrë brutalitete ndaj personave pa asnjë lidhje me operacionin e tyre.”- tha Berisha.