Vendosni fjalën kyçe....

“As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte” – Bardhi flet për negociatat me Berishën për zgjedhjet lokale


Gazment Bardhi u zgjodh sot nga grupi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për të negociuar me grupin e drejtuar nga Sali Berisha. Në një dalje për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi theksoi se do të takohet me Edi Palokën për të diskutuar për mundësinë e daljes në zgjedhje me një kandidat të përbashkët.

“Në dijeninë time, zoti Berisha ka caktuar zotin Paloka për të biseduar. Unë do kontaktoj me zotin Palojka. Është koleg i imi. Nuk do negocioj me zotin Paloka. Por do ulemi të bisedojmë për të hulumtuar mundësinë që demokratët të kenë një kandidat në zgjedhjet lokale. Duke qenë një kandidat i përbashkët i demokratëve, shanset rriten në mënyrë të konsiderueshme.”- tha Bardhi.

I pyetur nga gazetarët nëse do t’i pranojnë primaret që propozon Berisha, Bardhi tha se nuk futen në negociata me kushte dhe as nuk presin kushte.

“Nuk bëj bisedime përpara kamerave. Do bisedoj me zotin Paloka, do shoh se kush është qëndrimi i kolegëve të tjerë. As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte. Demokratët duan bashkëpunim të çdo faktori opozitar për të mundur Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme lokale. Si do biem dakord për modalitetet, do shohim. Unë shkoj për të biseduar me një koleg të nderuar.”- tha ai.