Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi ndaj TIMS/ Berisha: Janë zhdukur gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë


Kreu i PD-së Sali Berisha në takimin e përjavshëm me gazetarët të realizuar nga Gjirokastra, foli mbi mungesën e sigurisë në vend sulmin kibernetik ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit.

Berisha u shpreh se shkatërrimi i sistemeve TIMS dhe Memex ka bërë të mundur largimin dhe futjen në vend të qindra kriminelëve për qëllimet e tyre.

Sipas tij u zhdukën dhe gjurmët e udhëtimeve të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Ballës, me trafikantë.

“Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë më e pasigurt se këto ditë. Vetëm shkatërrimi i sistemit të TIMS dhe MEMEX. Qëllimi ishte te zhdukeshin gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët. Të zhdukeshin gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë. Një polic që ishte një lloj pengese, u largua në mënyrën më mafioze nga detyra e tij.

Shqiptarët nuk morën vesh asnjë argument se pse kryepolici i vendit u largua nga detyra, përveç lidhjeve të Çuçit me Ramën. Përveç rënies së tij në hekurin e nxehtë. Ndaj dënoj me ashpërsi këtë akt.

Dënoj qëndrimin, fshehjen që bën Edi Rama, Bledi Çuçi. Ka çuar tani një zëdhënës të vetin, se atë shefin e SHISH e dërgoi për shkollim, se paska qenë pa shkollë ky Helidoni, dhe çoi këshilltarin e tij që nuk është marrë kurrë me shërbimet inteligjente.

Pra, ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë. Siguria është më në rrezik se asnjëherë.  Shkalla e papërgjegjëshmërisë së tij është më e madhe se çdo herë.

Pas çdo firme që vendos është një vjedhje e re. Pas çdo ligji që sjell në parlament, ka një grup interesi.”- tha Berisha.