Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Ndrangheta pastroi 180 milionë euro në Tiranë, pse sehirxhinjtë e SPAK s’e hetojnë Veliajn?


Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK-ut që të hetojë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj lidhur raportin e Ministrisë së Brendshme të Italisë për pastrimin e 180 milionë euro të mafias italiane në ndërtimet në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, shefi i organizmit në selinë blu, Klevis Balliu tha se Veliaj duhet të hetohet për përfshirje në pastrimin e parave të organizatës mafioze italiane Ndrangheta në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.

“Raporti i fundit i Ministrisë së Brendshme Italiane tregon për forcimin e pozitave të mafies shqiptare. Sipas këtij raporti ajo ka arritur të zgjerojë influencën nëpërmjet një marrëdhënie të ngushtë me organizatën famëkeqe Ndrangheta. Prokurori i Antimafies italiane ka deklaruar se bashkëpunimi i mafias shqiptare dhe italiane është rritur në pastrimin e parave, kryer në sektorin e ndërtimit në Tiranë. Në 2016 Kryebashkiaku Veliaj ftoi kompanitë e Flavio Tosit dhe të miqve të tij, të cilët merreshin me pastrimin e qytetit të Veronës në Tiranë dhe lidhi kontratë të njëjtë, më të njëjtët aktorë dhe me të njëjtat kompani pastrimi. Kështu lindi Eco Tirana. Më pas Flavio Tosi dhe pronarët e kompanisë Amina dhe AGSM Holdings do të arrestoheshin për lidhje me organizatën kriminale Ndrangheta. Pavarësisht arrestimit të pronarëve të kompanisë, në Tiranë nuk ndodhi asgjë. Veliaj si nismëtari i kontratës me kompanitë e Ndanghetës nuk u hetua kurrë.” – tha Balliu.

Ai shtoi më tej se ndërsa në Itali u arrestuan mbi 50 persona për lidhje me Ndrangheta-n, mes të cilëve politikanë, zyrtarë e biznesmenë, në Shqipëria nuk pati asnjë hetim edhe pse në disa përgjime dilte edhe emrin i Veliajt.

Balliu tha se edhe pse emri i Veliajt del gjithandej, nga SPAK nuk ka asnjë hetim ndaj tij për sa i përket kompanisë ECO Tirana e lejeve të ndërtimit në Tiranë të firmosura prej tij.

“Përsëri në Janar të 2018 antimafia italiane arrestoi 50 persona ku përfshiheshin politikanë, zyrtarë, biznesmenë, mes tyre disa shqiptarë.  Në përgjimet që çuan në këto arrestime përmendej dhe Veliaj: sipas tyre ai kishte dhënë tri leje ndërtimi për një njeri të Ndraghetës në Shqipëri, i cili kishte vetëm 10 milionë euro për të investuar nga 180 milion euro që i duheshin për të ndërtuar objektet, për të cilat kishte marrë leje ndërtimi nga kryebashkiaku shqiptar. Diferencën prej 170 milionë eurosh do ta jepte organizata mafioze e Ndraghetës.  Pra, Ndrageta do të pastronte plot 180 milionë euro në ndërtimet e Tiranës. Teksa bumi i ndërtimeve rritet në çdo diskutim dhe lidhje të Ndraghetës në Shqipëri, del gjithnjë emri i Erion Veliajt, lali IncenErjonit. Me gjithë këto indicie, pse nuk hetohet Veliaj për Eco Tirana, të cilën e ka firmosur vetë me kompanitë e Ndragetës, siç e cilëson antimafia Italiane? Pse nuk hetohet Veliaj për lejet e ndërtimit që u ka dhënë personave që financohen nga Ndragehta? Pse SPAK rri e vështron, ndërkohë që indiciet dhe aktet nga kolegët e përtej Adriatikut janë më të mëdha edhe se masa ujore që i ndan dy vendet?” – shtoi Balliu.

Në fund shefi i organizimit në PD tha se kriminalizimi i ekonomisë së Shqipërisë është një palgë e madhe e afatgjatë me shumë dëme e fajtorë për këtë sipas tij nuk janë vetëm pushtetarët po edhje ‘sehirxhinjtë’ e SPAK-ut.

“Raporti i fundit i Ministrisë së Brendshme e tregon qartazi që Ndragheta dhe mafia shqiptare kanë në epiqendër të bashkëpunimit pastrimin e parave të pista. Raporti i nismës globale kundër krimit të organizuar ndërkufitar tregon se në vitet e fundit në Tiranë janë pastruar 1.3 miliard euro në sektorin e ndërtimit. Kriminalizimi i ekonomisë kombëtare është një plagë e madhe dhe afatgjatë për vendin. Nuk janë vetëm protagonistët fajtorë, por edhe sehirxhinjtë e sistemit të drejtësisë. Me pushtetarë të tillë, që fryjnë llogaritë personale dhe zhysin vendin në xhepat e mafias vendase dhe ndërkombëtare, Tirana dhe Shqipëria janë në rrezik.” – mbylli deklaratën Balliu.