Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj kërkesë Shkollës së Magjistraturës: Pavarësi e paanshmëri sot, vendime të drejta nesër


Presidenti Begaj i ka kërkuar Shkollës së Magjistraturës që të ketë pavarësi e paanshmëri për sa i përket formimit të magjistratëve të rinj.

Gjatë fjalës së tij në përvjetorin e kësaj shkolle, kreu i shtetit tha se kjo do rriste besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë e do garantonte që brezat e rinj të magjistratëve të japin vendime të drejta.

“Me ndryshimet kushtetuese shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave e përgjegjësive akoma më të mëdha. Misioni i formimit të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve e vendos shkollën në pozicion të rëndësishëm e kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë.

Puna juaj ka ndikim përcaktues në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional e moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, si një institucion i pavarur është me rëndësi që rekrutimi dhe vlerësimi të kryhet me objektivitet e transparencë, mësimëdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Pavarësia e paanshmëria në punën tuaj sot janë çelësi i pavarësisë e paanshmërisë së gjyqtarëve e prokurorëve nesër, do të thotë vendime të drejta e të paanshme nesër.” – tha ndër të tjera kreu i shtetit.