
Kreu i PD-së Berisha pohoi në foltoren e së hënës se nuk do dorëzohet dhe se kryeministri Rama është plagosur përfundimisht.
Kryedemokrati tha se Rama nuk e merr më veten edhe pse për shumë kohë kishte mbështetjen e Xhorxh Sorosit dhe asaj që e quajti makineria propagandistike e tij.
“Pra, Edi Rama është i plagosur përfundimisht. Le të sillet nga të sillet, por u garantoj se ai veten nuk e merr më kurrë. Pavarësisht se duhet pranuar që ai kishte mbështetje nga superfuqia propagandistike më e madhe e kohës, që ishte dhe vazhdon të mbetet, Xhorxh Sorosi si udhëheqës i marksist-leninistëve, i ekstremizmit të majtë në SHBA, Evropë, Azi dhe kudo në botë. Por ne përsëri qëndrojmë, të bindur në fitoren tonë. Një nga parafolësit foli këtu për AKSHI-n. U falënderoj për ekspozenë që bëtë. Kurrë ndonjëherë sot shqiptarët, si asnjë komb tjetër, kanë të vjedhura të dhënat e identitetit të tyre. Të dhënat më të çmuara. Të dhëna në mirëbesim shtetit të tyre. Po shteti i gangsterëve, shteti i karteleve, shteti i trafikantëve, të dhënat e qytetarëve ua dorëzoi atyre. Institucionet i kanë ata.” – tha Berisha.