Vendosni fjalën kyçe....

‘Sabotimi’ i Nord Stream mund të çojë drejt Luftës së Tretë Botërore – Trump


Sabotimi i supozuar i tubacioneve ruse të gazit Nord Stream 1 dhe 2 në Detin Baltik mund të çojë drejt Luftës së Tretë Botërore, ka paralajmëruar ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump u shfaq në platformën e tij ‘Truth Social’ të mërkurën, duke postuar një video nga muaji shkurt, në të cilin pasuesi i tij, presidenti Biden, u tha gazetarëve se ‘nëse Rusia pushton Ukrainën, nuk do ketë më Nord Stream 2. Ne do t’i japim fund’.

Kur u pyet se si saktësisht planifikonte Uashingtoni ta arrinte këtë, duke pasur parasysh që gazsjellësi ishte nën kontrollin e Gjermanisë, Biden u përgjigj: “Unë ju premtoj, ne do jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë”.

Postimi në Truth Sociale ishte një goditje e dukshme ndaj Biden, duke lënë të kuptohet se SHBA-ja mund të ketë qenë e lidhur me rrjedhjet që u zbuluan në fillim të kësaj jave në tubacionet Nord Stream që lidhin Rusinë me Evropën, veçanërisht me Gjermaninë, nën Detin Baltik.

Daily Mail iu drejtua zëdhënëses së Trump, Taylor Budoëich për sqarime, por ai tha vetëm se ‘deklaratat e ish-presidentit amerikan flasin vetë’.

Trump i kushtoi disa postime asaj që ai e quajti ‘sabotim’ të tubacioneve Nord Stream. Në një nga mesazhet, ai këshilloi lidershipin amerikan të jetë ‘i ftohtë e i qetë’ në situatën e re që është krijuar. 76-vjeçari e lidhi incidentin me konfliktin në Ukrainë dhe pohoi se një konfrontim ushtarak midis Moskës dhe Kievit ‘nuk do kishte ndodhur nëse do kishte qenë president’.

Uashingtoni duhet të punojë drejt një paqeje të arritur në tavolinë mes Rusisë dhe Ukrainës, këmbënguli Trump.

“Të dyja palët kanë nevojë dhe e dëshirojnë këtë. E gjithë bota është në rrezik. Unë mund ta kryesoj grupin?!” – sugjeroi ai.

Trump, i cili vendosi sanksione ndaj projektit Nord Stream 2 kur ishte në detyrë, u kujtoi ndjekësve në një postim tjetër se ishte ai që i solli tubacionet ‘në vëmendjen e botës si president kur shpjegova se sa e dëmshme mund të ishte mbështetja e tij për Gjermaninë dhe pjesë të tjera të Evropës’.

“Të gjithë qeshën në atë kohë, por ata nuk po qeshin më!” – theksoi ai.

Danimarka zbuloi rrjedhje nga tubacionet të hënën pasi operatori raportoi një humbje presioni në të dy linjat Nord Stream 1 dhe 2. Autoritetet daneze dhe suedeze më vonë thanë se kishte një seri shpërthimesh nënujore pranë ishullit Bornholm. Kjo bëri që Rusia, SHBA-ja, BE-ja dhe Suedia të sugjeronin se rrjedhjet mund të kenë qenë rezultat i një akti të qëllimshëm.

Tubacionet që shtrihen përgjatë fundit të Detit Baltik kanë qenë në qendër të bllokimit të energjisë midis Moskës dhe Brukselit që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë në fund të shkurtit.