Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e Kina rivalitet në Paqësor, Biden njeh dy ishujt si vende të pavarura


Shtetet e Bashkuara do njohin Ishujt Kuk dhe Niue si shtete të pavarura, tha presidenti Joe Biden të enjten teksa zbuloi një paketë të re ndihme prej 810 milionë dollarësh për një numër vendesh të Paqësorit.

Duke folur në samitin dyditor të Shteteve të Bashkuara me Ishujt e Paqësorit, Biden e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm diplomatik, duke shtuar se ai është ‘krenar të njoftojë se, pas këshillimeve të duhura’, SHBA do t’i konsiderojë Ishujt Kuk dhe Niue si shtete sovrane, tha ai.

Të dy ishujt vetëqeverisës të Paqësorit janë në bashkëpunim të lirë me Zelandën e Re, e cila u ofron atyre ndihmë dhe i ndihmon të drejtojnë punët e tyre qeveritare dhe të mbajnë shumicën e marrëdhënieve diplomatike në emër të tyre. Ishujt Kuk dhe Niue kanë një popullsi prej rreth 17,000 dhe 1,600 përkatësisht.

Gjatë samitit, Biden vuri në dukje se SHBA do ofronte 810 milionë dollarë ndihmë ‘për të përmirësuar jetën e banorëve të ishullit të Paqësorit’. Paketa përfshin gjithashtu më shumë se 130 milionë dollarë të destinuara për të mbështetur qëndrueshmërinë klimatike dhe ‘ndërtimin e ekonomive blu të qëndrueshme’. Në total, gjatë dekadës së fundit, SHBA-ja u ka dhënë Ishujve të Paqësorit mbi 1.5 miliardë dollarë.

Ndërkohë, ndërsa SHBA përpiqet të forcojë lidhjet e saj me vendet e Paqësorit mes tensioneve të rritura me Kinën, Pekini duket se po bën të njëjtën gjë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, Pekini ka mbajtur ‘shkëmbime miqësore afatgjata’ me vendet e rajonit dhe u ka ofruar atyre ndihmë ekonomike dhe teknike. Megjithatë, Pekini argumenton se kjo ndihmë nuk ka lidhje politike.

Ishujt Kuk dhe Niue nuk bëjnë përjashtim nga kjo dhe gjithashtu kanë lidhje të ngrohta me Kinën. Për më tepër, në vitin 2018, ky i fundit nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Pekinin për t’iu bashkuar nismës së saj ‘Një brez, një rrugë’, një strategji globale e zhvillimit të infrastrukturës e shpalosur nga qeveria kineze në vitin 2013.